Nasim Haradinaj dhe Hysni Gucati, dy krerët e Organizatës së Veteranëve të Luftës kanë apeluar vendimin e Gjykatës Speciale me të cilin ata u dënuan me nga katër vite e gjysmë burgim.
Kësisoj, pas apelit të parashtruar nga ta, është caktuar seanca e parë e cila do të jetë si lloj konference statutore për mbarëvajtjen e gjykimit në Apel, shkruan lajmi.net.
Seanca është caktuar të mbahet më 5 korrik 2022.
Me këtë rast, palët janë urdhëruar që deri më 27 qershor të dërgojnë me e-mail çështjet që dëshirojnë të ngrisin në këtë seancë.
Ndryshe, Gucati e Haradinaj u dënuan me nga katër vite e gjysmë heqje lirie për vepra penale që lidhen me administrimin e drejtësisë, pasi ata u shpallën fajtorë se publikuan dosje konfidenciale nga hetimet e Taskë Forcës së Speciales e cila më pas rezultoi në ngritjen e aktakuzave.