Rregullat e reja, nga e mërkura dënime të ashpra për shoferët

Shoferët që bëjnë gara të tilla me vetura, i presin dënime të ashpra.

Me ligjin e ri për rregullat në trafik, i cili hyn në fuqi nga e mërkura, garat si këto do t’iu kushtojnë deri në 500 euro shoferëve dhe do të mbeten pa patentë-shofer për 1 vit.

Hiç më lehtë nuk do të shpëtojnë as ata që tejkalojnë shpejtësinë e lejuar, meqë dënimet mund të arrijnë deri në 500 euro dhe lagim të katër pikëve nga patentë-shoferi.

Dënimet pothuajse të njëjta nga 100 deri 500 euro i presin edhe ata që gjatë ngasjes përdorin telefonin.

Dyfish më shumë se kaq, do të dënohen shoferët që nuk e pastrojnë automjetin dhe bëjnë rrugën me baltë.

Shoferët që nuk vendosin rripin e sigurisë, do të gjobiten me nga 150 euro.

Ashpërsimi i dënimeve, po mirëpritet nga qytetarët meqë thonë se po rrezikohet jeta e tyre.

Por, rritjen e dënimeve nuk është se e përkrahin në tërësi ekspertët e komunikacionit. Sipas Bekim Ahmetit, ky Ligj i Ri, nuk do të ketë efekt të madh në zvogëlimin e rrezikshmërisë në komunikacion.

Zgjidhje të duhur, Ahmeti e sheh vendosjen e radarëve statikë.

Rastet e vdekjeve në aksidente nuk janë hiç të rralla në vend.

Vetëm në vitin që lamë pas, 88 qytetarë vdiqën si pasojë e aksidenteve. /atvlive.tv