Aktori Enver Petrovci është pjesë e filmit më të ri serb të titulluar ‘Konsulli Rus’, shkruan Gazeta Metro.
Filmi ‘Konsulli Rus’, është prodhim i Serbisë i vitit 2024. Në këtë film bëhet propagandë e pastër serbe, se kinse shqiptarët e Kosovës kanë dëbuar serbët nga Kosova dhe kanë përdorur dhunë.
“Në këtë film bëhet fjalë për një personazh, i cili është psikiatër serb, i quajtur Ilija Jugoviq, pas vdekjes së pacientit të tij në Beograd, shkon në Prizren të Kosovës, nën dënimin e Partisë, ku punësohet si mjek i përgjithshëm në një spital lokal. Atje ai takohet me profesorin e historisë Ljubo Bozhovic, të vetëshpallurin “Konsull rus”, një pacient me sa duket me probleme psikike, i cili pretendon se së shpejti “Rusia do të bëhet përsëri Rusi, dhe Kosova do të bëhet sërish serbe”. Kundër tij kthehen të fuqishëm shqiptarë vendas, separatistë të fshehur, gjithashtu anëtarë të Partisë Komuniste dhe kuadro në poste. Më i fuqishmi prej tyre, Halit Berisha, i dëbon serbët nga Kosova me presione të ndryshme mizore: ushtron dhunë ndaj fëmijëve serbë nëpër shkolla, frikëson popullatën vendase, i pengon ata të marrin kujdesin shëndetësor, ngacmon familjet, u fut atyre pasiguri dhe ankth. Pra, radha i ka ardhur Ljubo Bozovicit, të cilin Berisha po tenton ta nxjerrë nga shtëpia dhe ta largojë nga Kosova. “Konsulli rus” refuzon të shesë shtëpinë dhe përplaset me Berishën. Doktor Ilija Jugoviq qëndron nën mbrojtjen e tij…”, thuhet në sinopsisin e këtij filmi, i cili duket qartë se është i mbushur tej mase me propagandë.
Pjesë e këtij filmi pra është edhe aktori kosovar Enver Petrovci, i cili edhe shihet në foton më poshtë se është pjesë e ekipit të aktorëve kryesor.