Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka thënë se Rusia ka ngelur e vetme në përpjekjen e saj për ta shtrembëruar të vërtetën, pasi i dështoi thirrja për seancë të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Kosovën.
Një ditë më parë, vetëm tre anëtarë votuan pro mbajtjes së seancës në lidhje me 25-vjetorin e bombardimeve të NATO-s ndaj caqeve serbe.
Ministrja Gërvalla të hënën në mbrëmje ka thënë se Kosova ka qenë e gatshme për të paraqitur faktet rreth krimeve të Serbisë. Ajo ka falënderuar shtetet partnere të Kosovës.
“Të gatshme për të paraqitur para anëtarëve të Këshillit të Sigurimit faktet rreth krimeve gjenocidale të Serbisë ndaj popullatës civile në Kosovë, përshëndetëm megjithatë unitetin e partnerëve, miqve dhe aleatëve tanë për moslejimin e mbajtjes së kësaj seance propagandistike. Rusia mbeti e vetme në përpjekjet e saj të rrezikshme për ta shfrytëzuar Këshillin e Sigurimit për të shtrembëruar të vërtetën. Me vetëm 3 vota pro (mes tyre Federata Ruse) dhe 13 abstenime, iniciativa e Rusisë nuk kaloi. Qindra masakra të tmerrshme që Serbia bëri në Kosovë, vrasja mizore e 1432 fëmijëve, përdhunimi i mijërave grave, vajzave, burrave dhe fëmijëve, zhdukja e viktimave të luftës dhe shkatërrimi i pasurisë së Kosovës ishin dhe mbeten fakt”, ka shkruar ajo në Facebook teksa ka njoftuar se në KS të OKB-së ka qenë me ish-deputeten dhe aktivisten, Vasfije Krasniqi-Goodman, si e dërguar e posaçme e Presidencës për çështje të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës.
Gërvalla ka vazhduar tutje duke thënë se për 25 vjet të pasluftës Kosova ka avancuar në demokraci, sundim të ligjit e respektim të të drejtave të njeriut, ndërkohë që “Serbia dhe Rusia kanë mbetur në të kaluarën e tyre të errët, që fatkeqësisht po i përcjell edhe sot dhe që po i çon drejt izolimit”.
“Me vetëm 3 vota pro (mes tyre Federata Ruse) dhe 13 abstenime, iniciativa e Rusisë nuk kaloi.
Qindra masakra të tmerrshme që Serbia bëri në Kosovë, vrasja mizore e 1432 fëmijëve, përdhunimi i mijërave grave, vajzave, burrave dhe fëmijëve, zhdukja e viktimave të luftës dhe shkatërrimi i pasurisë së Kosovës ishin dhe mbeten fakt.
Por po aq mbetet fakt që Kosova sot është shtet i pavarur dhe sovran i qytetarëve të saj. Në 25 vitet e pasluftës, Kosova ka avancuar në zhvillim të demokracisë, sundim të ligjit, respektim të të drejtave të njeriut, zhvillim ekonomik dhe integrim në mekanizmat ndërkombëtar, ndërkohe që Serbia dhe Rusia kanë mbetur në të kaluarën e tyre të errët, që fatkeqësisht po i përcjell edhe sot dhe që po i çon drejt izolimit”, ka shkruar Gërvalla.
Në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Shtetet e Bashkuara, Franca dhe shtetet e tjera perëndimore, abstenuan në votim duke parandaluar futjen në agjendë të diskutimit temën për ndërhyrjen ushtarake të NATO-s ndaj ish-Republikës Federale të Jugosllavisë 25 vjet më parë.
Rusia kishte kërkuar që pika e titulluar “kërcënimet ndaj paqes ndërkombëtare dhe sigurisë” të futej në agjendën e takimit të 25 marsit në Këshillin prej 15 anëtarësh.