Eurodeputetja Viola von Cramon ka reaguar në platformën “X”, ndaj kryetares së Kuvendit të Serbisë, Anna Brnabiq.
Von Cramon shkruan se nuk është kundër Asociacionit, mirëpo që Marrëveshjet e Brukselit nuk janë të lidhura me anëtarësimin e ardhshëm të Kosovës në KiE.
“Sigurisht që nuk jam kundër Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe (përkundrazi, jam pro), por Marrëveshjet e Brukselit nuk janë të lidhura me anëtarësimin e ardhshëm të Kosovës në KiE. Nëse keni një mendim tjetër, kjo varet nga ju. Nëse dëshironi të largoheni nga Këshilli i Evropës varet gjithashtu nga ju, por thjesht nuk mendoj se është serioze”, ka replikuar Von Cramon ndaj Brnabiqit.
Ky reagim i eurodeputetes vjen pas këtij postimi të Brnabiq.
“Epo, ju duhet të dini një ose dy gjëra për bllofin dhe gënjeshtrën – ju nuk keni bërë vetëm bllof, por keni gënjyer plotësisht për themelimin e Bashkësisë së Komunave Serbe, e cila është shtylla kurrizore e Marrëveshjes së Brukselit”, shkruan Brnabiq në platformën X.
“Në më pak se një muaj, më 19 prill, do të shënojmë NJËMBËDHJETË (11!) vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Brukselit. Nënshkrimi i Përfaqësuesit të Lartë të BE-së është në atë marrëveshje – pra, ku është Komuniteti i Komunave Serbe?”, ka shkruar më tutje ajo.