Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje i ka dhënë vulën me kapjen e ndërmarrjes më të madhe publike në vend, Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK). Periskopi ka gjetur një numër të madh të njerëzve të partisë në pushtet, si të pranuar në konkursin e fundit në këtë Koorporatë.
KEK-u kishte shpallur konkurs për 90 vende të reja të punës më 18 janar të këtij viti.
Në listën që ka siguruar Periskopi, del që partia në pushtet nuk ka lënë pa i rehatuar të afërmit e tyre aty.
Duke filluar nga “koka e Koorporatës”, Jeton Gërguri është njëri nga të pranuarit në KEK në konkursin e fundit. Jeton Gërguri është kushëri i afërt me drejtorin e KEK-ut, Bekir Gërgurin. Ai ka marrë gjithsej 76.17 pikë në këtë konkurs.
Personi tjetër i cili është pranuar dhe ka lidhje me partinë në pushtet është, Nexhat Prebreza. Ky i fundit është kushëri i afërt me, Valon Prebrezan, udhëheqës i Njësisë për Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike. Nexhat Prebreza është vlerësuar me 80.17 pikë në këtë konkurs.
Naim Ahmeti, vëllai i Sami Ahmetit, numrit dy të Lëvizjes Vetëvendosje në Obiliq, është punësuar gjithashtu në konkursin e fundit të Korporatës Energjetike. Naimi ka marrë gjithsej 79.17 pikë gjithsej.