“Radojçiqi kriminel që duhet mbajtur përgjegjës për Banjskën”: Ambasadori amerikan reagon pas takimit të Gjuriqit me terroristin Radojçiq

Millan Radojçiq, lideri i grupit famëkeq paraushtarak që sulmoi në Banjskë të Zveçanit “është kriminel që duhet të mbajë përgegjësi”, ka thënë ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, duke komentuar takimin e fundit që u bë publik mes Radojçiq dhe ambasadorit serb në Uashington, Marko Gjuriq.

Në një përgjigje për gazetën Express, Hovenier pyetur rreth këtij takimi Gjuriq-Radojçiq, veçse ka përsëritur qëndrimin amerikan rreth Radojçiqit i cili qysh para mëse dy viteve ishte futur nën sanksione nga Thesari amerikan i Shtetit.

“Siç kanë thënë zyrtarë të lartë të qeverisë amerikane: Serbia duhet të mbajë përgjegjës ata të përfshirë në sulmin e kryer nga paraushtarakët etnikë serbë në Banjska që rezultoi në vdekjen tragjike të një rreshteri të Policisë së Kosovës” ka thënë Hovenier.

“Ai ka marrë përgjegjësinë për sulmin në Banjska përmes avokatëve të tij. Ai është një kriminel që duhet të mbajë përgjegjësi”.

“Qëndrimi i Shteteve të Bashkuara për zotin Radoicic është i njohur. Z. Radoicic është nën sanksionet e qeverisë amerikane për përfshirje në korrupsion dhe krim të organizuar transnacional”, ka thënë Hovenier mes tjerash.