Toka e shtrenjtë në Prishtinë që po i çon në Gjyq Sabri Fejzullahun, Adem Grabovcin dhe figurat tjera të fuqishme

Në maj të vitit 2023 Komuna e Prishtinës kishte nxjerr një njoftim që zonën perëndimore të lagjes “Prishtina e Re” ishte bërë një kërkesë për të marrë kushte ndërtimore. Qërim Selimi e kishte nënshkruar këtë kërkesë.

Pos të tjerëve, këtë kërkesë e kishte parë edhe Halil Bllaca, një qytetar i Prishtinës i cili ka dekada që zhvillon betejë ligjore për ta kthyer nën kontroll një tokë prej mbi tre hektarësh, e të cilën pretendon që e ka trashëgimi familjare, por para luftës serbët ia kishin marrë pa dëshirë.

Ai pretendon që kur toka i morë, ajo kaloi në Ndërmarrjen Shoqërore “Ratar”, që pas luftës do të merrej si çdo ndërmarrje shoqërore nën menaxhim të Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit (AKM), paraardhësja e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), agjenci ende aktive.

AKP-ja pastaj do ta vendoste një pjesë të pronave të “Ratar”-it në likuidim. Këtu do të paraqitej si palë e interesit familja Bllaca. Por, AKP-ja do ti rrëfente me arsyetimin ‘informata të pamjaftueshme’

.Autoriteti i Likuidimit (AL), i emëruar në bazë të nenit 12 Shtojcës së Ligjit Nr. 04/L-34 për Agjencinë Kosovare të Privatizimit, ka shqyrtuar kërkesën tuaj për të drejta pronësore mbi një ngastër kadastrale që ndodhet në Hajvali, e regjistruar në Agjensinë Kosovare të Privatizimit më datë 25.09.2014, që është brenda afatit për parashtrimin e kërkesave. Duke qenë se informatat që ju keni ofruar janë të pamjaftueshme për të mundësuar përfshirjen e saj në çfarëdo shpërndarje të të ardhurave të likuidimit, ju kërkojmë të ofroni informacione shtesë dhe dëshmitë mbështetëse”, ishte përgjigja që Bllaca mori nga AKP-ja.

Nga dokumentet që janë deponuar në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme, e themeluar për tu marrë me kontestet që lidhen me privatizimin, del që Halil Bllaca në fillim do të identifikonte disa persona për të cilët që tash e kanë nën kontroll tokën që ai pretendon që i takon si trashëgimi nga familja.

Të njëjtit del që e kishin blerë nga serbi Vukoje (Bajo) Jollovic. Ka siguruar edhe dokumentet e ndarjes së pronës, që pretendohet se është mbi tre hektarë. Dhe, i del që nuk është veç një pronar shqiptarë që e ka blerë diku në vitin 2010 nga personi Jollovic, por janë disa.

Si dolën emrat e Sabri Fejzullahu, Adem Grabovcit e të tjerëve?

Gazeta ka parë rrjedhën e dokumenteve në këtë rast. Familja Bllaca duke parë që një kërkesë për kushte ndërtimore ishte bërë publike nga Komuna e Prishtinës, bash në tokën që ata pretendojnë se është e tyre, vendosën që ta angazhonin një avokat për ti vënë masë të përkohshme të sigurisë kësaj toke.

Insajderi ka folur me avokatin Vehbi Halili, i cili ka treguar që sipas tij e ka bërë maksimumin që ta bind Gjykatën- Dhomën e Posaçme që toka i takon familjes Bllaca, dhe se personat që tash i kanë dokumentet si pronar, siç i ka quajtur ai edhe në ankesë, janë uzurpatorë.

Gjykata do ta urdhëronte avokatin Halili që të sillte dokumente shtesë, përfshirë edhe emrat e adresat e sakta të personave që sipas pretendimeve të familjes Bllaca e kanë nën kontroll pronën e tyre trashëgimi familjare.

“Më dt. 21.07.2023, i autorizuari i paditësit ka bërë zgjerimin e propozimit në pikëpamje suajektive, po jo të padisë edhe ndaj personave të tjerë si Qerim Sylejmani Selimi, Demir Lima, Mustaf Mustafa, Emin Gashi, Sabri Fejzullahu, Avdi Rexhepit Adem Grabovci , por me parashtresë nuk i ka dorëzuar adresat e Kundërshtareve të sigurimit”, thuhet në një vendim të Gjykatës për këtë rast, ku sqarohet se më vonë avokati Halili megjithatë i specifikoi kush cilën hise të kësaj toke e mban.

“Pas një pune të gjatë kemi arritur që ti sigurojmë edhe emrat. Edhe adresat. Edhe dokumentet e pronësi e madje edhe se cila pronë është në hipotekë në bankë”, thotë në një bisedë për Insjderin avokati Vehbi Halili.

Këto informacione i ka përfshirë në kërkesën për masë të përkohshme të sigurisë- që toka të mos shitej derisa të i vije rendi padisë që kanë bërë për ta kthyer pronën.

“‘(…kërkon që të ) Caktohet masa e sigurimit dhe të ndalohet që paligjshmëria si njësi kadastrale P —71914075- 0: = 99-2, me sipërfaqe 1160m2, në emër të Muhamed Maloku ngastra e pronarit Qerim Sylejman Selimi P —71914075- 00499-1, me sipërfaqe 13489m2, , pastaj poseduesit faktik Demir Lima ngastra ne. 71914075- 00498-2, me sipërfaqe 2375m2, Mustaf Mustafa, ngastra 71914075- 00498-3, me sipërfage 3060m2, Gashi Qerim Emin dhe Kuçi Florije , ngastra nr. 71914075- 00498-4, me sipërfaqe 3276m2, Fejzullahu Sabri, ngastra me. 71914075- 00498-5 me sipërfaqe 1425m2, Mustafa Mustaf dhe Grabovci Adem ngastra “’|’!14075- 00498-6, me sipërfage 9515m2, Avdi Mustafa, ngastra nr, 71914075- 00498-7, me: sipërfaqe 1425m2, Mustafa Mustaf dhe Grabovei Adem ngastra nr. 71914075- 00498-6, me sipërfaqe 950m2, të cilat prona gjendet në Veternik, që të mos shiten apo të tjetërsohen duke aprovuar kërkesën e propozuesit”, thuhet në vendimin e Dhomës së Posaçme- shkalla e parë, ku bëhet me dije se si provë janë bashkangjitur edhe certifikatat.

Gazeta tash e disa javë i ka kontaktuar këngëtarin Sabri Fejzullahu e politikanin Adem Grabovci, por asnjëri nga ta deri më tash nuk është përgjigjur.

Insajderi i ka pyetur të njëjtit se në çfarë viti e kanë blerë këtë tokë. Se si janë njohur me personin Vukoje (Bajo) Jollovic. Se sa e kanë blerë pronën në fjalë. Se a kanë qenë në dijeni se për këtë pronë ka një familje nga Prishtina që pretendon se është pronare e saj.

Për asnjërën nga këto pyetje dhe të tjerat, gazeta nuk ka marr ende ndonjë përgjigje.

Gjykata: Dëmi tashmë është bërë

Gjykata Supreme, Dhoma e Posaçme që merret me kontestet ku përfshihen pronat e privatizuar e ka refuzuar në shkallën e parë kërkesën e familjes Bllaca për ti vënë masë të përkohshme të sigurisë tokës që tash si pronarë dalin këngëtari Sabri Fejzullahu, politikani Adem Grabovci dhe perosna të tjerë të fuqishëm në politikë e biznes.

Në listë të kërkesës për masë të sigurisë të deponuar nga avokati Vehbi Halili janë përfshirë edhe Muhamed Maloku, Qerim Sylejman Selimi, Demir Lima, Mustaf Mustafa, Emin Qerim Gashi dhe Florije Kuçi e Avdi Mustafa.

Dokumentet që disa prej këtyre pronave pasi që kaluan në pronësi të të lartpërmendurve nga personi Vukoje (Bajo) Jollovic, janë në hipotekë në bankë ishin deponuar si prova për të dëshmuar ndërlidhjen nga avokati i familjes.

Por, në vendimin e shkallës së parë të Dhomës së Posaçme për ta refuzuar kërkesën për masë të sigurisë bash këto dokumente janë përdorur kundër kërkesës së tyre. Gjykata, me një fjalë deklaron që dëmi tashmë është bërë- s’mund të parandalohet.

“Lidhje me rrezikun e pretenduar se atij pa u caktuar masa e sigurimit do ti shkaktohej dëm të pariparueshëm , edhe këtë kriter nuk e ka bërë të besueshëm, ndaj NSH-së, ndërsa ndaj kundër propozuesve të tjerë , tani më edhe në supozim se kërkesa de të ishte e besueshme, rreziku veç është shkaktuar pasi sipas Certifikatave të pronës disa nga kundër-propozuesit si pronarë në ata ngastrat, i kanë regjistruar si hipotekë në emër të bankave”, konstaton Gjykata Supreme.

Avokati: “Do të ketë gjykim”, pronarët i quan “uzurpatorë”

Avokati Vehbi Halili në një bisedë për Gazetën ka treguar që pavarësisht që shkalla e parë e Dhomës së Posaçme ua ka refuzuar kërkesën për masë të përkohshme të sigurisë, që të mos tjetërsohet prona që familja Bllaca pretendon se është e tyre, padia që ai ka bërë për ta kthyer pronësinë thotë se do të shqyrtohet.

“Pavarësisht refuzimit të masës së sigurisë, padia do ta ketë ditën e saj në Gjykatë. Aty pastaj do të përballemi me personat që tashmë e kanë me letra në pronësi këtë pronë që i takon familjes Bllaca”, ka thënë ai.

“Me aktvendimin e Gjykatës Supreme që punon për AKP-në Prishtinë C-III-15-0188 datë, 19.01.2024 nuk është aprovua propozimi av. Vehbi Halili nga Prishtina si përfaqësues me autorizim nga Propozuesit, Halil Bllaca, për masë të përkohshme e të sigurisë, dhe është zbatua gabim e drejta materiale për faktin se: Avokati ka parashtruar propozim për masën e përkohshme e të sigurisë me dat. 27.06.2023, kjo gjykatë veprimin e saj konfuz e bazon duke e përsëritë, disa herë nenin 297 të LPK/së, dhe sipas saj, nuk qenka, plotësua kushtet për masën e sigurisë”, thuhet në ankesën e deponuar në apelin e Dhomës së Posaçme.

Avokati Halili në ankesë thotë se Gjykata i ka në posedim krejt provat “por tej mase ju beson shkresave të AKP-së”.

“Është e vërtetë se me datë 21.07.2923, parashtruesi i propozimit e zgjeron propozimin edhe, ndaj Qerim Sylejmani Selimi, Demir Lima, Musa Mustafa, Emin Gashi, Sabri Fejzullahu, Avdi Rexhepi, Adem Grabovci, edhe me rastin e zgjerimit gjykata kujdeset tej-mase, se përse nuk është zgjeruar padia edhe ndaj këtyre uzurpatorëve, e nuk e kupton se ne në fazën që jemi, kemi kërkuar, vetëm aprovimin e masës të sigurisë, për pronën e paraardhësve juridik, të propozuesit të masës. Kjo gjykatë me trupin gjykues, të saj, ka kërkuar nga propozuesi i masës, ti siguroj adresat e uzurpatorëve, duke u bazuar në faktin se barra e provave i bie propozuesit, por nuk e morri parasysh faktin se uzurpatorët e kësaj prone, me rastin e regjistrimit të pronës, për ti ikur përgjegjësisë, nuk lënë adresat e tyre në listat poseduese e që ne kemi arrit ti marrim vetëm si drafte, pa vula të organit përkatës”, thuhet tutje në ankesë.

Ai thotë që edhe në këtë organ, në rastin konkret në Komunën e Prishtinës ka dyshime.

“…sepse edhe në këtë organ ka dyshime, se rasti është i njohur për malliverzimet të kundërshtareve të masës, dhe gjykata, për ta sqaruar çështjen është dashtë zyrtarisht të kërko historiatin e pronës dhe adresat e kundër-propozuesve, sepse me vetë faktin se në draftet e listave poseduese të dorëzuara nga ne, në gjykatë, gjykata e ka pas lehtë ta kupton, kur e ka vrenjtë se mungojnë adresat e kundër-propozuesve, të cilët qëllimisht janë fshehur. Nga vetë ata sqarimin trupi gjykues nuk e ka kërkuar as nga organet përkatëse”, thuhet në ankesë.

Ai në shkallën e dytë e ka akuzuar shkallën e parë të Dhomës së Posaçme se po u ndihmon, siç thotë ai uzurpatorëve.

“…të njëjtit nuk lëshohen në çështjen kryesore për aprovimin e masës të sigurisë, por thirren në çështjen anësore se propozuesi i masës nuk i ka dorëzuar të ashtuqujturat, formularin e kërkesës kreditore, historiatin e pronës, ekspertizën gjeodezikë, raportet juridikë të propozuesit me të paditurin, dhe kundërshtarët e sigurimit. Kështu, pra duke i ikur vendosjes të drejtë, me veprimet e tyre gjykata u ka ndihmuar uzurpatorëve të mbeten të pa prekshëm”, thuhet në ankesë.

Gjykata, gabimisht e interpreton vendimin, sipas avokatit Halili, se dëmi konsiderohet si i pa riparueshëm vetëm nëse nuk mundet të zhdëmtohet, “në mënyrë të arsyeshme me kompensim financiarë, çka do me than, qëllimisht nuk e aprovojnë propozimin sepse propozuesi i masës, paska mundësi nga uzurpatoret të kompensohet dhe çështja të mbyllet”.

Avokati në ankesë deklaron po ashtu se gjykata gabon kur i beson AKP-së, kur e njëjta, thotë se prona e pretenduar nga paditësi, propozuesi, nuk qenka në posedim të AKP-së, kurse në anën tjetër, ne si palë në kontest disa here, na ka shkruar shkresa, ku vërtetohet e kundërta.

“Lidhur me pronën në fjalë, AKP nuk ka qenë në dijeni për këtë ndryshim titullari derisa ka pranuar kërkesë pronësore nga z. Halil Hasan Bllaca nga Prishtina. AKP, përkatësisht Autoriteti i Likuidimit për Ndërmarrjen Shoqërore (NSH) KB “Ratar”, ka pranuar një kërkesë pronësore nga z. Halil Bllaca, por asnjëherë nuk e ka pasur të qartë saktësisht se për cilën pronë e cila administrohet nga AKP-ja bëhet fjalë”, thuhet në përgjigjen e AKP-së.

Ju informojmë se në bazë të shënimeve me të cilat disponon AKP-ja, “ngastra kadastrale me numër të vjetër kadastral 3532 sipas fletës poseduese 2283, e cila, sipas pretenduesit ka marrë numër të ri, respektivisht është parcelizuar në ngastra tjera kadastrale nr. 499/1 dhe 499/2, ZK Cagllavicë, këto ngastra me azhurnimet kadastrale të vitit 1987 janë evidentuar në emër të P.SH Kuvendi Komunal Prishtinë”, thuhet në tutje në përgjigjen e kësaj Agjencie.

Sipas tyre në shënimet kadastrale të vitit 2003, këto prona, përkatësisht ngastrat kadastrale nr. 499/1 dhe 499/2, ZK Çagllavicë nuk evidentohen në emër të KBI Kosova-Export (NSH “KB Ratar).

“Ju rekomandojmë t’i drejtoheni Zyrës Kadastrale të Komunes se Prishtinës për informata lidhur me historikun dhe pronarët aktual të këtyre ngastrave”, thuhet në përgjigjet e AKP-së, dhe shtojnë se “Jo, AKP nuk i ka shitur apo privatizuar ngastrat në fjalë”.

Edhe pse kanë disa shkresa nga famijla Bllaca, që pretendojnë për këtë pronë, AKP-ja thotë se nuk e ka dërguar tutj, madje as në Polici, sqarimin e kësaj situate.

“AKP nuk ka hapur rast në polici, sepse nuk e ka shitur asnjëherë pronën kontestuese dhe për pronat me të cilat nuk administron apo nuk evidentohen në emër të ndonjë NSH-je, nuk mund të ndërmarrë veprime të tilla pa u siguruar se bëhet fjalë për aset të NSh-së nën administrimin e saj”. Sido që të jetë, nëse në ndërkohë marrim ndonjë informatë, e cila konsiderohet dhe vlerësohet si falsifikim, sigurisht se AKP do të veproj sipas ligjit”, thuhet në përgjigjen e AKP-së

AKP-ja ka thënë që është në dijeni për kontestin që është ngritur në Dhomën e Posaçme.

“Po jemi njoftuar. Qëndrimi i AKP-së është që nuk ka ndonjë sqarim adekuat, konkret, apo provë të parashtruar nga pretenduesi që bëhet fjalë për ndonjë pronë, respektivisht ngastër kadastrale, e cila është evidentuar në emër të ndonjë nga Ndërmarrjet Shoqërore që administrohen nga AKP-ja”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Derisa AKP-ja ka mbajtur qëndrimin që nuk ka shënime se ka menaxhuar me këtë pronë, në ankesën e deponuar kundër shkallës së parë të Dhomës së Posaçme, avokati Vehbi Halili arsyen e Gjykatës se nuk mund të vendoset masë sigurie se dëmi është bërë tashmë, e konsideron, sipas tij, ndihmë nga Gjykata në favor të atyre që ai i quan uzurpatorë.

“Ky trup gjykues bie në kundërshtim me vetveten kur konsideron se rreziku veçse është shkaktuar, nga kundërshtarët e masës, sepse kjo pronë qenka hipotekë, çka është e vërtetë dhe ky veprim i uzurpatorëve mbetet i pandëshkuar nga gjykate, e cila qëllimisht ju ndihmon me mos-aprovim të kërkesës për masën e sigurisë, e cila do të ishte e nevojshme, për faktin se kundërshtarët e masës, tani edhe kanë mundësi ta shesin pronën e uzurpuar, ta tjetërsojnë” thuhet në ankesë.

“Rastin do ta dërgojmë në Krime Ekonomike”

Avokati Vehbi Halili në një bisedë me Gazetën për këtë pronë ka thënë që pasi që Dhoma e Posaçme në shkallën e parë vendosi t’ua refuzoje kërkesën për ti vënë masë sigurie, që të mos shitetet e tjetërsohet prona prej afro tre hektarësh ku familja Bllaca pretendon se është e tyre, nuk u ka lënë edhe shumë hapësirë në gjykatat civile.

“Ne do ta dërgojmë rastin në Krime Ekonomike. Pastaj, hetuesia le te zbardhë se si kjo pronë kaloi nga një dorë në tjetrën. Se si blerësit nuk i lanë as adresat e u desh ne që ti gjemë. Se si AKP-ja i ikë përgjegjësisë”, ka thënë ai.

Sipas vendimit për refuzimin e masë së sigurisë, familja Bllaca pretendon këtë historik të kësaj prone.

“…prindi i Halil Bllacës e ka blerës këtë pronë në vitin 14.09. 1957, me sipërfaqe mbi tre hektarë me nr. 3532, fp. 2283, sipas Aktvendimit të Sekretariatit të Financave të Këshillit Kombëtar të Komunës së Prishtinës nr. 11742/ 57. Kjo pronë është e paraardhësit Esma Bllaca, e kurrsesi Sali Bllaca, dhe si trashëgimtar i saj është shpallur Rexhep Bllaca, sipas aktvendimit për shqyrtim trashëgimie T nr. 297/1 962, dt. 003.1963”, thuhet në dokument.

“Është e vërtetë se regjimi serb, paraardhësve juridik të propozuesit të masës së sigurisë (Familjes Bllaca), ua morri pronat me të vetmin qëllim ruajtjen e pronave për kolonët që i ka sjell, nga viset e tjera për popullzimin e territorit tonë”, thuhet në ankesën kundër vendimit të shkallës së parë të Dhomës së Posaçme.

Pas luftë, sipas ankesës, “këto prona kaluan në forma të ndryshme deri te AKP-ja, e cila, në shumë forma i keqpërdori, i shiti me çmime qesharake, kurse në këtë rast nuk arrijmë ta kuptojmë se si ka mundësi që kundërshtarët e masës (uzurpatorët ) ta marrin pronën e poseduesit faktik aq lehtë. Pa e pyetur AKP-në të bahen pronarë edhe ti mshefin adresat e banimit qëllimisht, për të mshefur gjurmë, edhe arritën ta krijojnë rrezikun, duke e futur pronën në hipotekë, e gjykatës këto veprime nuk i interesojnë fare..”, thuhet në ankesë.

Avokati në fund thotë pretendentët për këtë pronë, në këtë rast familja Bllaca, kanë marrë kërcënime e presione psikike dhe këtë ia shkruan në letër Gjykatës së Apelit.

“Kolegji i Apelit duhet ta di faktin se kundërshtarët e masës (uzurpatorët), të gjithë pareshtur ju bëjnë presione psikike personave faktik, propozuesve, duke i kërcënuar se do të pasojnë nëse, nuk e tërheqin padinë, dhe duke iu premtuar shuma qesharake të kompensimit, vetëm e vetëm ta kenë token e uzurpuar në disponimin e tyre”, thuhet në këtë dokument që u deponua në Gjykatë.