Aida, e cila ndan sot historinë e saj me “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare”në Tv Klan jeton në Francë që prej vitit 1991. Asokohe kishte vetëm 3 muaj që ishte martuar dhe bashkëshorti i saj shkoi i pari, ndërsa Aida qëndroi me nënën e cila i kërkonte të qëndronte. Pak javë pas ikjes së bashkëshortit, Aida mësoi se ishte shtatzënë. Ajo arriti të shkonte në Francë, solli në jetë edhe një djalë në vitin 1994, por xhelozia e tepërt e bashkëshortit i dha fund martesës.
Megjithatë, shqetësimi kryesor i Aidës mbetej nëna e saj. Ajo kishte emigruar me vajzat në Greqi, por vendosi të kthehej në atdhe. Vetmia ishte vrasëse për të, por arriti të gjente një zgjidhje.
Aida: Mami pas një viti e gjysmë, dy vjet më mbrapa ikën në Greqi, jetuan atje, motrat i kam akoma atje. Mami ndenji nja 10 vjet. Motra e vogël bëri dy çuna edhe ajo, i rriti ato dy çuna dhe pastaj tha “vendi im është aty ku më bëri koka bam, po kthehem”.
Ardit Gjebrea: Dhe mami u kthye.
Aida: U kthye, vetëm. Aty ishte shumë e vështirë, shumë e vështirë, vetmia, filloi ta vriste vetmia shumë.
Ardit Gjebrea: Gjeti një rrugëzgjidhje më duket.
Aida: Po. Ishte para Vitit të Ri, po shihte televizor, pa jetimoren, që tregonin që njerëzit shkonin të merrnin fëmijë për Vit të Ri dhe tha “ja, e gjeta. S’kam fëmijë, mbesa e nipër këtu, do kem më tepër”. Edhe shkoi, foli me drejtoreshën, i tha “a ka mundësi, dua të marr nja 3-4 vajza?” Drejtoresha u habit, i tha “3-4?! Pse, çfarë ka? Po jo, njerëzit në përgjithësi marrin nga një”. Kur shkoi për të marrë 3-4 fëmijë, me një vajzë drejtoresha kishte probleme, donte të dilte dhe mami e mori më vete duke i folur, “mos ki merak”, i tha, “javës tjetër do të të marr vetëm ty”. Edhe u qetësua dhe në atë kohë drejtoresha i tha “ua, faleminderit shumë”, “s’ka asgjë, s’bëra gjë”, tha. Kur shkoi të shtunën tjetër dhe me gjithë mend, e mbajti premtimin, e mori dhe pastaj i tha drejtoreshës “a ka mundësi të vij një orë në ditë a si e keni ju që të merrem me vajzat, t’u mësoj si të gatuajnë, si të qepin se do rriten një ditë, do bëhen gra, do bëhen nëna” dhe drejtoresha përnjëherë pranoi, i tha “ua ç’është kjo ide shumë e bukur, me gjithë qejf, me gjithë zemër” dhe pastaj çdo të shtunë mami shkonte merrte 8 vajza, i mbante për drekë, kalonin pasditen, shëtisnin, çdo të shtunë. Për 10 vjet më duket e bëri këtë. U mësonte për të ardhmen, u thoshte “ do bëheni nëna një ditë, mendoni”.