“Edi Rama kërkon bashkim kombëtar! Veriun me ia dhanë Serbisë!”

IDRIZ MORINA

“Edi Rama i pritur me nderime nga Qeveria, por ai e meritonte këtë kësaj here!?

Gjetja e kësaj rruge, nëpërmjet bashkimit dhe tezave të tilla, kur vijnë nga Rama, duhet parë, nëse ato ia ka miratuar paraprakisht “vëllai serb”, dhe nëse ka ndodhur kjo, atëherë sërish rezulton se kumbarë i projektit është Serbia, dhe jo Shqipëria.Rama, dhe projektet e tij të tilla, kanë një qëllim të përbashkët: Shpëtimin e Hashim Thaçit apo të gjetjes së një rruge për shpëtimin e tij nga ndëshkimi prej gjykatës speciale.

Edi Rama vjen për të mbajtur mbledhjen e përbashkët ndërmjet qeverive, ndërsa është interesante se para saj, pas disa ditësh që ishte në Hagë, shkon drejt e në shtëpinë e Hashim Thaçit, ta takojë, familjen e tij. Takimet humanitare dhe miqësore nuk janë për kritikë, por, si e kam analizuar dje, ai ka zgjedhur momentin të shkojë atje, të përcjellë mesazhet e koduara të Hashim Thaçit, për veprimet që duhen të ndërmerren në të mirë të tij, me shpresë pafajësinë në Hagë.

Më pas gjatë ditës së diele, në mbrëmje shkon dhe takon të gjithë lukuninë e mundshme mediale, që kërkojnë rrëzimin e Qeverisë mes tyre edhe drejtues mediash: si Arben Ahmeti, Ilir Mirena, Astrit Gashi, Valon Syla, Kushtrim Sadiku, e Leonard Kërquki ndër tjerë.

Rama takon veçmas edhe njëherë Pacollin, biznesmenin Devolli dhe të tjerë. Asnjë nga boshti nacional shqiptarë. Që të gjithë të hapur për politikat e huaja, deri tek ato agresive.

“…Më lejoni të jem edhe vëllai i Vuçiqit”

Por, pa dyshim, sot për sot, kampion i tyre është vetë kryeministri Edi Rama, i cili e arriti kulmin, me vetë rrëfimin e tij, i cili ngjason shumë me fjalorin dhe mendësinë hoxhiste, jo vetëm të pasluftës së Dytë Botërore, por edhe më pas, larg opinionit.

“Unë Albinin e kam vëlla, për më lejoni të jem edhe vëllau i Vuçiqit”, ka thënë Edi Rama, vazhduesi i mendësisë enveriste, të nënshtrimit të përpiktë ndaj sllavokomunizmit atëherë, dhe tash ndaj sllavo-ortodoksisë.

“Duke qenë se jemi në 110-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë dhe ngritjes së flamurit të pavarur të Shqipërisë, ne të kishim në nëntor të parin Kuvend të përbashkët, me të dyja parlamentet e mbledhura në një dhomë ku po na u dha mundësia dhe po ra dakord të na jepet edhe në të dyve privilegji të adresojmë në këtë dhomë të përbashkët të kuvendit. Nëse bashkërisht arrijmë të bindim të dy kryesitë e kuvendeve që të kemi këtë kuvend të përbashkët, atëherë japim mesazhin për të gjithë ata që lexojnë sloganet e mbledhjeve që këto nuk janë slogane bosh”, ka thënë ai, me shumë gjasë duke ofruar një mashtrim të ri, me ‘gardën e vjetër’ a ntiKosovë e proSerbi.

Mesazhet e dekoduara të Ramës

Ai me këtë dha dy mesazhe kulmore. Ai edhe kur gjendet në tokën shqiptare, të larë me gjak shqiptarë nga forcat serbe për dy shekuj, për shkak të afërsisë së tij politike, mendësisë, dhe mbi të gjitha obligimeve ndaj Beogradit, e ka të pamundshme të mos e pohojë se serbët i ka vëllezër.

“…më lejoni të jem edhe vëllau i Vuçiqit”, kjo jo vetëm konoton afërsinë, intimitetin e tij me serbët, por e denoton hapur identitetin e tij politik, pra, se ai është një ‘serb’ apo përpiqet maksimalisht të jetë identik me serbët, ta ketë të njëjtin fat me Vuçiqin, dhe shqiptarët ta kenë fatin serb, në fakt t’i nënshtrohen interesit serb, duke e pranuar identitetin e tyre si superior, dhe të asimilohen!

E dyta, ai i bëri ofertën më të rrezikshme Albin Kurtit, pra që Rama të jetë vëllai i ndërmjemë, vëllai ‘biologjik’ apo i natyrshëm i Kurtit, dhe ai, ‘ligjor’, politik, ekonomik, i Vuçiqit. Por, që shpjeguar më tej, nëse Rama, e ka ‘vëlla’ Kurtin, dhe ‘vëlla’ Vuçiqin, dhe Albini, e pranon këtë rol të tij, atëherë çfarë mesazhi po konoton Rama? Rama, po i afron Kurtit vëllazërim (indirekt) me Vuçiqin!

Albin Kurti, duhet dhe duhet t’i jap një përgjigje kësaj, para se të keqkuptohet apo të keqpërdoren qëndrimet e tij. Kuptohet, kjo thirrje është nga vullneti për të besuar në qëndrimet e deritashme të Kurtit ndaj raporteve me Serbinë.

Edi Rama, po ashtu ka gjetur kohë, që para se të mbahej mbledhja e qeverive të takohej edhe me liderin e opozitës, kryetarin e LDK-së, Lumir Abdigjikun, me të cilin është takuar edhe në Tiranë, para disa muajsh.

“Dhomë të përbashkët parlamentare”!

Ky takim, nëse për asgjë tjetër do të mbahet mend për një pamje nëse jo trishtuese të frikshme gjithsesi të Ramës, të regjistruar në foto, ndërsa më pas në mbledhje të qeverive, hedh parabolën e bashkimit kombëtar, “Dhomë të përbashkët parlamentare”!

I ndodhur prej shumë kohësh nën kritika të ashpra të opinionit në Kosovë, ai u mësua nga këshilltarët e tij, që të gjejë një ‘premtim’ të rrejshëm, dhe t’ua ofrojë shqiptarëve, në mënyrë që të korrigjojë me aq sa mundet humbjen thuajse totale të reputacionit.

Ai iu rikthye temës së bashkimit kombëtar, por në një mënyrë tjetër, jo si më parë. Tash nuk do të premtoj bashkimin e Shqipërisë së mbetur dhe Kosovës, por do të kërkojë, që kjo të ndodhë nëpërmjet një rruge ‘dytësore’!

Ai tha ta bëjmë një ‘Dhomë të përbashkët parlamentare’. Fillimisht të takohen dy Kuvendet për një mbledhje të përbashkët, për të cilën nuk tha asgjë më shumë, sepse sipas tij e kërkon përgjigjen e Kosovës!

Juridikisht, as Kosovës dhe as Shqipërisë, nuk i lejohet nga kushtetutat respektive të krijojnë dhoma të përbashkëta parlamentare.

E dyta, çfarë do të mund të ndërmerrnin këto dhoma, dhe kush do t’i përfaqësonte aty shqiptarët e Kosovës dhe të Shqipërisë. Dhomë e përbashkët apo Senat, si do që ta quajnë nuk ka vend për dikë, që nuk është i zgjedhur, dhe kur nuk je i zgjedhur nuk mund të përfaqësosh asgjë dhe askë.

Pra, nëse dhoma krijohet si e proklamoi Rama, atëherë ajo do të jetë asgjë dhe për askë!

Nëse Rama e mendon që kjo të bëhet nëpërmjet proceseve zgjedhore, atëherë, kjo bëhet plotësisht e paparashikueshme nga kushtetutat respektive. Në këtë rast ajo çon drejt bashkimit, apo të krijimit të një sistemi minimal të përbashkët kushtetues.

Pavarësisht, vështirësive që do të sjellë kjo, edhe sikur të kishte sinqeritet Edi Rama, rruga e bashkimit do të ishte e ndërlikuar, por edhe e pranueshme, vetëm nëse Kosova nuk humb territor.

Por, a mund ta bëjë këtë Rama?

Rama, dhe projektet e tij të tilla, kanë një qëllim të përbashkët: Shpëtimin e Hashim Thaçit apo të gjetjes së një rruge për shpëtimin e tij nga ndëshkimi prej gjykatës speciale.

Pra, edhe kjo përpjekje e Ramës, konfirmon analizën e djeshme, se shkuarja e Ramës në Brojë, ka për qëllim dhënien e mesazheve për të mbështetur projekte në favor të lirisë së Thaçit!

Por, Kosova dhe shqiptarët nuk mund të pranojnë projekte antishqiptare, për të kënaqur, ata, që kurrë nuk treguan respekt më të madh për shtetin dhe Kushtetutën e vendit se sa për ambiciet e tyre.

Zgjidhja, e projektuar nga Rama, pra është ‘zgjidhje vëllazërore’ e miratuar nga Beogradi. Nëse projektet e tilla miratohen nga Beogradi, atëherë, është thuaja e pamundur që në mes, të mos jetë zgjidhja që parasheh ndarjen e një pjesë të Kosovës!

Gjetja e kësaj rruge, nëpërmjet bashkimit dhe tezave të tilla, kur vijnë nga Rama, duhet parë, nëse ato ia ka miratuar paraprakisht “vëllai serb”, dhe nëse ka ndodhur kjo, atëherë sërish rezulton se kumbarë i projektit është Serbia, dhe jo Shqipëria.

Natyrisht që dy parlamentet në këtë rast mund të bëjnë një deklaratë, e cila edhe mund të përdoret për krijimin e një shteti të vetëm.

Në atë rast, ekzistenca e shtetit të Kosovës, si i pavarur do të merret fund. Dhe si rezultat i kësaj edhe ekzistenca e gjykatës speciale, pasi do të oshte një simbol antikushtteues.

Përpjekjet për rrëzimin e Qeverisë?

Edi Rama i ka mohuar zërat, madje më një narrativë fyese, nëpërmjet qensh, se thjesht kanë lehur, ata që thanë se ai ka deklaruar se do ta rrëzojë Qeverinë Kurti.

“Do ta rrëzoj Albin Kurtin (nga pushteti) deri në shtator,” – kishte thënë kryeministri i Shqipërisë sipas burimeve të mediumit “Nacionale” në një takim intern në Samitin e “Ballkanit të hapur” në Ohër të Maqedonisë, i mbajtur gati dy javë më parë.

Por, bashkimi dhe takimet e tij, me aq shumë forca, ose konvergjojnë në trysni për ta thyer rezistencën e Kosovës ndaj Serbisë, ose si shantazh po ashtu për t’i bërë që t’i dorëzohen Ramës dhe Vuçiqit me Hashim Thaçin, larg në prapavijë. Zërat për një projekt për rrëzimin e Qeverisë, ka disa javë që kanë marrë më shumë tonalitet.

Por, tepihun e kuq ia shtroi Albini, nëse rrëzohet, kësaj here, fajtorin duhet ta kërkojë tek qilimi!”Bota sot