Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, në ditën e parë të vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA), e ka filluar në Departamentin Amerikan të shtetit në takim me emisarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Kështu ka bërë të ditur vetë Haradinaj përmes një publikimi në profilin e tij zyrtar në Facebook.
“Ditën e parë të vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e fillova me takimin në Departamentin Amerikan të Shtetit, me emisarin e qeverisë amerikane për Ballkanin Perëndimor, z. Gabriel Escobar. Në takim theksova që arritjet e deritanishme si shtet, përpos që janë meritë e sakrificës së shumë brezave ndër vite, padyshim e kanë vulën e Amerikës”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj ka kërkuar që të ngritet niveli i marrëdhënieve bilaterale, sidomos në fushën e sigurisë, me anëtarësimin me hapa të përshpejtuar të Republikës së Kosovës në NATO.
“Në takimin me z. Escobar u dëshmua mbështetja e parezervë e qeverisë amerikane për popullin dhe shtetin Kosovës, në veçanti me proceset nëpër të cilat po kalon vendi. Kërkova që të ngritet niveli i marrëdhënieve bilaterale, sidomos në fushën e sigurisë, me anëtarësimin me hapa të përshpejtuar të Republikës së Kosovës në NATO”, është shprehur Haradinaj.
Ai ka shtuar se aleanca mes dy vendeve është e përjetshme.
“Aleanca mes dy vendeve tona është e përjetshme dhe do të punojmë pandalur që të zhvillohet e forcohet çdo ditë”, ka përfunduar Haradinaj.