Antonio Milloshoski, deputet i OBRM-PDUKM-së, ka kritikuar ashpër votimin e Talat Xhaferit si kryetar i Qeverisë teknike, duke thënë se ai ka dezertuar nga Ushtria e Maqedonisë dhe ai nuk mund të jetë kryeministër i mirë, njofton Telegrafi Maqedoni.
“Mos prisni nga Talat Xhaferi të jetë më i mirë për vendin. Nuk mundet një dezertor i ushtrisë të udhëheq vendin si duhet. BDI nuk ka kualitet për të udhëhequr vendin. LSDM, PRSDM dhe partnerët tjerë, sot maqedonasin e kanë bërë qiraxhinj në vendin e tij. Sot, ata që thonë se është ditë historike, duhet ta thonë këtë pasi historikisht, Maqedonia ka më shumë borxhe, korrupsion, pasaporta për kriminelët e botës dhe historikisht kemi më shumë njerëz në listën e zezë të SHBA” tha mes tjerash Milloshoski.
Milloshoski mes tjerash ka përmendur, sipas tij, krimin që e ka organizuar Artan Grubi dhe e ka vërtetuar Talat Xhaferi në Kuvend me flamur të BE-së.
Ai gjithashtu ka përmendur Korridorin 8 dhe 10d, fabrikën e veturave elektrike, ligjin për lojërat e fatit, duke i quajtur si vendime dhe ligje të krimit.
Kujtojmë se edhe OBRM-PDUKM-ja e Milloshoskit do të jetë pjesë e qeverisë teknike, edhe pse kanë paralajmëruar se nuk do ta votojnë qeverinë.