Baton Haxhiu thotë se Kurti do zgjedhje të reja në gusht, shkaku i diasporës

Gazetari Baton Haxhiu përmes një shkrimi botuar në “Albanian Post” ka shkruar se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ndërmend që të çojë vendin në zgjedhje të parakoshme nacionale në gusht të vitit 2024.

Në gusht sepse, siç beson Haxhiu, është koha kur diaspora kosovare është në numra më të mëdhenj prezente në Kosovë.

“Imagjinoni diasporën kosovare, të shpërndarë anembanë globit, që kthehet në atdheun e saj në zemër të verës dhe ndikimi i tyre nuk është vetëm numerik”, ka shkruar Haxhiu.

“Kurti, i vetëdijshëm për këtë ndryshim potencial elektoral, po luan kartat e tij në harmoni me këtë dinamikë të diasporës, një lëvizje që nënvizon një hendek të thellë midis vizionit të tij për zgjedhje dhe dëshirës së komunitetit ndërkombëtar për stabilitet dhe përputhje me marrëveshjet e vendosura”, ka shkruar mes tjerash ai.