Haradinaj shkoi deri në Presidencë por nuk u takua me Osmanin: Presidentja nuk respektoi orarin që e kishte caktuar vetë

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani gjatë ditës së djeshme kishte ftuar për takim krerët e partive opozitare për të diskutuar në veçanti për draft-statutin e Asociacionit, por edhe pse LDK zhvilloi takimin, e Memli Krasniqi i PDK-së e refuzoi, kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ani pse kishte pranuar ftesën dhe ndodhej në Presidencë, takimi nuk u zhvillua.

E gjithë kjo ndodhi pasi sipas AAK-së, Presidentja Osmani nuk respektoi orarin që ajo vetë e kishte caktuar.

Kështu tha për Gazetën Online Reporteri.net, Drejtori për Informim i AAK-së, Lulëzim Blaka, ku i njëjti shtoi se kishin vullnet të mirë për të biseduar në veçanti për draft-statutin e Asociacionit.

“Ne kishim vullnet për të biseduar me znj. Osmani për çështjet me rëndësi për vendin, veçanërisht për draft-statutin e Asociacionit; e per këtë qëllim Kryetari Haradinaj, ishte në kohën e caktuar në Presidencë. Por, takimi nuk ndodhi, pasi që znj. Osmani nuk e respektoi orarin që e kishte caktuar vetë”, tha Blaka për Reporteri.net.

I pari në takim me presidenten Osmani gjatë ditës së djeshme u prit kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku. Në një njoftim për media, u bë e ditur se Abdixhiku e ka njoftuar presidenten lidhur me shqetësimet e LDK-së sa i përket përmbajtjes së draft-statutit dhe janë diskutuar mundësitë për trajtimin e këtyre shqetësimeve në mënyrë që mos të lejohen dykuptimësi që mund ta dëmtojnë funksionimin e brendshëm të Republikës së Kosovës.

Pas këtij takimi, i pari i LDK-së mblodhi Kryesinë e partisë që ai drejton. Në lidhje me procesin e dialogut, Kryesia e LDK-së vlerëson se draft-statuti i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, i dorëzuar Qeverisë së Kosovës, përbën qartësisht një rregullim autonom politik dhe territorial të serbëve të Kosovës dhe si i tillë kthehet në një çështje urgjente për trajtim kushtetues.