“Do të habitesha nëse Serbia do të ndryshonte në mënyrë drastike kursin e saj në lidhje me sanksionet kundër Rusisë”, tha profesori i Universitetit të Oksfordit Dimitar Beçev për Radion Evropa e Lirë.
Komentet e tij vijnë një ditë pasi Serbia, së bashku me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, u rreshtuan me deklaratën me të cilën Bashkimi Evropian bën thirrje për vendosjen e sanksioneve kundër Kremlinit.
Serbia është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që deri më tani nuk ka rënë dakord për asnjë nga masat kufizuese të Brukselit kundër Rusisë, pas pushtimit të Ukrainës.
Në një deklaratë pas samitit BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel më 13 dhjetor, vendeve të rajonit iu bë thirrje për të bërë “progres të shpejtë dhe të qëndrueshëm drejt përafrimit të plotë me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë, duke përfshirë masat kufizuese të Bashkimit”.
“Çdo harmonizim i rëndësishëm [i Serbisë] mbetet i pamundur,” beson Dimitar Beçev në një intervistë me shkrim për REL.
Një pjesë e veçantë e deklaratës i kushtohet marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.
Të dyja palët janë të ftuara që të përmbushin marrëveshjet e arritura deri më tani pa vonesa apo parakushte të mëtejshme.
Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit, e arritur në Bruksel në shkurt, dhe Aneksi për zbatimin e saj, i rënë dakord në Ohër një muaj më vonë, janë apostrofuar.
Mirëpo, kryeministrja Ana Brnabiq, përkundër respektimit të deklaratës, ka shprehur rezerva lidhur me obligimet e Serbisë.
“BE-ja dëshiron të shohë zbatimin e Aneksit të Ohrit për zbatimin e marrëveshjes, nga marsi i këtij viti – ndoshta edhe të nënshkruar nga Aleksandar Vuçiq. Logjika e aneksit është se Serbia do të sigurojë njohje de facto – për shembull, duke krijuar një zyrë ndërlidhëse diplomatike në Prishtinë dhe duke lejuar Kosovën të hapë një në Beograd. Paralelisht me këtë, Kosova të themelojë një Bashkim të Komunave me shumicë serbe. Serbia e do fillimisht Bashkimin e Komunave me shumicë serbe dhe Kosova së pari kërkon njohje. Por Bashkimi Evropian (dhe i dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar) po bëjnë presion që kjo të ndodhë së bashku”.
I pyetur se sa i qëndrueshëm është qëndrimi i Serbisë – që nga njëra anë pajtohet me marrëveshjet me Kosovën të ndërmjetësuara nga BE-ja dhe pastaj shpreh rezerva për atë që është rënë dakord, Beçev tha se Vuçiq po ia mbathte, të paktën deri në incidentin në Banjskë
“Mendoj se qëndrimi i Vuçiqit është i qëndrueshëm – sepse Bashkimi Evropian nuk do të përdor shkopinj kundër tij. (shkopi në politikën e jashtme, i referohet sanksioneve dhe shpërblimeve)”.