Kush ishte babai i Nënë Terezës dhe si e helmuan serbet?!

Në ditën e shenjtërimit të Nënë Terezës, u përfol nga shumë media perëndimore se ajo ishte shqiptare nga Kosova. Por, ky lloj raportimi nuk vlen për mediat serbe dhe maqedonase.

Në të vërtetë janë sllavët e Maqedonisë ata që duan ta përvetësojnë bijën shqiptare, e kjo i konvenon edhe propagandës serbe që nuk do që bota ta njohë për shqiptare njërën prej humanisteve më të mëdha të historisë së njerëzimit.

Krerët e Maqedonisë thanë se shteti i tyre u bë me shenjtore, duke u bërë se gjasme nuk e dinë se Shkupi, që është kryeqytet i sotëm i Maqedonisë, në kohën kur ka lindur Agnesë Gonxhe Bojaxhiu – Nënë Tereza (26 gusht 1910), ishte pjesë e Kosovës.

Pavarësisht kësaj, edhe prindërit e saj vinin nga dy qytete të tjera të Kosovës: babai Nikollë nga Prizreni, ndërsa nëna Dranafile nga Gjakova. Pala maqedonase, që mundohet të përvetësojë histori të huaja, duke mos mundur ta mohojë tërësisht lidhjen e saj me shqiptarët, ka tentuar t’ia ngatërrojë origjinën e prindërve, duke e bërë gjysmë-shqiptare.

Çdo gjë nisi nga një shkrim i Aurel Plasarit, më 2003, që thotë se Nikollë Bojaxhiu, babai i saj, një burrë i suksesshëm e i pasur, ka qenë arumun, pasi ka gjetur një dokument që thotë se ai ka qenë përfaqësues i këtij komuniteti në Shkup.

Por, kjo deklaratë që ngatërroi shumë opinionin publik, bie poshtë nga studiuesi nga Kosova, Albert Ramaj, i cili bazuar në dëshminë e Lalush Lalevskit, përfaqësues i arumunëve ishte një me mbiemër Boiagjiev.

Sidoqoftë, Nënë Tereza personalisht ka pohuar: “Me gjak jam shqiptare”!

Dhe, është pikërisht kjo fjali që bëri sërish bujë kudo në botë.

Por ajo që nuk dihet me saktësi, është se Nikollë Bojaxhiu ishte një patriot shqiptar, i cili më 1912 ishte krah luftëtarëve që çliruan Shkupin. Madje, në ditën e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor 1912, ai kishte mbajtur një takim me shumë emra të mëdhenj të kombit, përfshirë Bajram Currin dhe Hasan Prishtinën.

Kujtojmë se Nikollë Bojaxhiu vdiq i ri, në moshën 45-vjeçare (më 1919). Ai dyshohet se u helmua nga agjentët serbë.