Pas portretit të pagabueshëm të Zanës, centralistes te filmi “Rrugë të bardha”, të gjithë ata që rinia i kapi viteve të diktaturës, i kujtojnë sot me nostalgji radhët dhe pritjet e gjata në kabinat e PTT-së, për të kryer një telefonatë. Në rastet më klasike, dërgoheshin telegrame urgjente për raste vdekjesh, ose e kundërta, lindje fëmijësh e sebepe familjare.
Për cilindo që i ka jetuar vitet e komunizmit, kjo është një tablo e servirur sade, ashtu siç ishte, pa ngjyra…! Pjesa më e vështirë u ka takuar vetë protagonisteve, punonjësve centraliste që qëndronin pas xhamit të tejdukshëm, mes fishave të ndërlidhjes dhe kufjeve për përcjelljen e zërit, ndërsa dëgjonin shpesh ankesat e qytetarëve, për vonesat e mundshme, deri në kryerjen e telefonatave.
Urani Muçaj është një prej “Zanave” të atyre viteve, që i dedikoi mbi 30 vite punë profesionit të centralistes në Drejtorinë e PTT-së. Me të drejtë, gjatë bisedës ajo shpesh përpiqet t’i shmangë detajet, sepse sipas saj ato tanimë i përkasin një epoke që ka kaluar, dhe për të cilën nuk mund të ketë më interes, për sa kohë që teknologjia e avancuar i ka tjetërsuar praktikat e punës, e sidomos atë të komunikimit të individëve me njëri-tjetrin. Pikërisht, më shumë se çështje kurioziteti i përligjur, shumëkush është i interesuar të mësojë sidomos, për mënyrën se si kryheshin lidhjet telefonike, mes funksionarëve të lartë të pushtetit komunist!
Si mbërrinin të koduara radiogramet, ndërsa bisedat në terren mes anëtarëve të Byrosë Politike, bëheshin zakonisht me radiorele, me valë të koduara. Punonjësja e dikurshme e PTT-së zbulon “të fshehtat” për praktikat e punës, nga ato me popullin e thjeshtë, tek ish-liderët. Radiogrami urgjent që mbërriti pas përplasjes së Enver Hoxhës me Hrushovin, në të famshmen mbledhje të 81 partive komuniste në Moskë, e që lajmëronte udhëtimin e “pazakontë” të Enverit, si edhe pretendimet e vazhdueshme të Kryeministrit të dikurshëm, Mehmet Shehu, për përgjim të telefonatave, pak muaj përpara vetëvrasjes së tij. Urani Muçaj, sot 87-vjeçare, rrëfehet për suplementin tonë…!
Zonja Urani, le ta nisim me kujtimet nga lufta…! Para se të dallonit në punën tuaj si centraliste, keni qenë e angazhuar në Luftën Nacionalçlirimtare. Fillimisht në ilegalitet, e më pas si partizane, apo jo?
Ishim një grup vajzash dhe shoqesh, që vendosëm ende pa mbushur të 15-at të merrnim pushkën në krah dhe të bëheshim pjesë e lëvizjes Nacionalçlirimtare. Fillimisht, u angazhova në çetën e Mallakastrës (duke qenë se kam lindur në Fier), dhe më pas në Brigadën e 11-të Sulmuese partizane. Aty nga viti 1943, përpara se të rreshtohesha në formacionet partizane, kam vepruar në ilegalitet dhe detyra ime bashkë me veprimtarë të tjerë të luftës, ishte që të mblidhnim ushqime dhe veshmbathje për forcat partizane dhe ato më pas i dorëzonim në çetën e Mallakastrës. Por, në vitin 1948, u caktova që të merrja pjesë në Brigadën vullnetare ndërkombëtare, që do të shkonte në Jugosllavi, për të dhënë kontribute në ndërtimin e vendit. Kishim komandant Nexhip Vishën dhe udhëtuam drejt Zagrebit. Atje populli na bëri një pritje madhështore, njerëzit kishin dalë me buqeta me lule, brohoritje, u treguan shumë të përzemërt.
Atje e mësuat zanatin e ndërlidhëses?
Gjatë qëndrimit për gati katër muaj në Jugosllavi, përveç punës vullnetare në ndërtimin e hekurudhave, angazhohesha edhe me pjesën e ndërlidhjes, sepse edhe më herët në zbore, por edhe si partizane, kisha mësuar si përdoreshin aparatet e telefonit, me tuba dhe bateri të mëdha, të cilat rishikoheshin. Gjatë luftës, normalisht që sinjalet i jepnim, jo të drejtpërdrejta, por me parulla. Por, gjatë këtyre ditëve të qëndrimit në Jugosllavi, vjen një radiogram urgjent nga Shqipëria: “Tito tradhtoi! Përgatisni parullat, më të ashpra kundër tij”! U vumë menjëherë në lëvizje, për të zbatuar porosinë e ardhur, dhe të nesërmen u nisëm direkt për Tiranë. Populli jugosllav na shpërfilli, duke na injoruar me mungesën e përcjelljes dhe falënderimeve për punën që bëmë atje, për muaj me radhë. I vetmi kujtim, më mbeti një medalje nderi, që më dhanë jugosllavët, “Udarnik” quhej.
Më pas, erdhët në Tiranë…! Si u punësuat në Drejtorinë e PTT-së?
Normalisht, ishte Partia që më sistemoi në këtë vend pune. Duke qenë komuniste, me teserë partie, por edhe me ideale, për më tepër që i kisha dhënë provat e njohurisë në sektorin e ndërlidhjes, më caktuan që të filloja punë si centraliste. Punën e nisa në vitin 1955 deri në 1987, afër moshës së pensionit. Por, sektori i ndërlidhjes, nuk ishte një detyrë e lehtë. Sepse, përveç njohurive dhe shkathtësisë, kusht i paracaktuar ishte ai i ruajtjes së sekreteve. Pra, për gjithçka bisedohej, telefonohej, apo për çdo situatë që përflitej brenda ambienteve të punës, e mes kolegëve, nuk duhet të dilte as informacioni më i vogël. Unë, as tim shoqi, nuk i tregoja për gjërat që ndodhnin aty në PTT, sepse rrjedhja e një informacioni, konsiderohej konspiracion dhe më pas i gjithë personeli futej në “vrimë të gjilpërës”.
Lidhja telefonike mes individëve, popullit të thjeshtë, realizohej me fishat klasike dhe kufjet në vesh, që ndihmonin në përcjelljen e zërit. Më pas, njerëzit flisnin nëpër kabinat e caktuara, sipas numrave dhe sipas rrethit me të cilin bëhej lidhja në telefon, domethënë brenda Tiranës, apo edhe me qytete të ndryshme të Shqipërisë. Kërkesat për telefonata, ishin të shumta gjatë ditës dhe ne si centraliste, mundoheshim që të plotësonim pjesën dërrmuese, pasi kabllot telefonike dëmtoheshin nga agjentët atmosferikë, si era, dëbora në dimër, shiu etj. Në ato vite, ndërlidhja bëhej ose me tela, ose me valë. Aparaturat nuk ishin të sofistikuara. Kryesisht ishin blerë nga Kina, ose nga Bashkimi Sovjetik.
Ndërsa për aparaturat dhe linjat e ndërlidhjes së udhëheqjes, gjërat funksionin ndryshe, apo jo?
Shumë më ndryshe, patjetër! Në ato vite ka ekzistuar ajo që në gjuhën tonë quhej “qytet i nëndheshëm”. Nga qendra e Tiranës, diku afër Bankës së Shqipërisë, e deri në mal të Dajtit, ishin tunele të nëndheshme, ku ishin instaluar linjat e komunikimit specifike, kryesisht ato të udhëheqësve. Aparatura të telefonisë, ato të përgjimit të qeverisë, ministrive, e shumë të tjera, funksiononin të gjitha në këtë qytet të nëndheshëm, ndërsa populli, nuk e dinte as që ekzistonte diçka e tillë.
Linjat e valëve dhe të kabllove, ishin të ndara më vete për vilat e pushtetarëve, për ministritë, për familjarët e tyre etj. Kisha dëgjuar që këto tunele të nëndheshme ishin shumë të mëdha, ku mes kabllove të shtrirë, linjave të sinjaleve dhe aparaturave, kishte dhe vende të ndara me dhoma, ku punonin specialistët e ndërlidhjes, madje aty kishin punësuar edhe kuzhinierë, që gatuanin për turnet e natës, ditës, sepse punonjësve gjatë orarit të punës, nuk u lejohej asnjë kontakt me jashtë, apo ndonjë ndërprerje gjatë punës, për nevoja personale. Gjithçka realizohej në survejim dhe sekret të plotë.
Në çfarë kushtesh teknike bëhej lidhja telefonike me udhëheqësit komunistë?
Komunikimi telefonik dhe telegrafik me ish-udhëheqësit e lartë komunistë, realizohej në një seksion të posaçëm. Nuk bëhej fjalë për defekte, por edhe nëse ato ndodhnin për arsye të mirë shpjeguara, të paktën synohej nga stafi ynë, që ato të minimizoheshin në maksimum. Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Hysni Kapo, Kadri Hazbiu dhe thuajse të gjithë anëtarët e Byrosë Politike, kishin kabllo të veçanta për ndërlidhjen.
Madje, ata kishin linja specifike të telefonisë dhe ato telegrafike në vilat ku banonin dhe të tjera në ministritë dhe zyrat e punës. Efektshmëria, pastërtia e zërit, duhej të ishin në lartësinë e duhur, sepse gabimet nuk faleshin kollaj. Ishin gati 60 numra sekretë të instaluar, në shërbim të të gjithë funksionarëve komunistë. Ndërsa, nga ana jonë, ne si centralist dëshmonin përpikëri, në çdo kërkesë të tyren, për t’u lidhur brenda Shqipërisë, apo edhe jashtë vendit.
Pra, bëhej fjalë për një komunikim të koduar, sekret?
Gjithçka i ngjante gati një komunikimi sekret, me kode dhe shifra specifike që i dinim vetëm ne punonjësit, e që ato përdoreshin për një hark të caktuar kohor, për t’u ndryshuar më pas me kode dhe shifra të tjera. Kjo ishte një nga taktikat e përdorura, për ruajtjen e cilësisë dhe sekretit në sektorin e ndërlidhjes. Domethënë, unë si punonjëse dhe kolegët e mi, i kishim të klasifikuara detajet: I quanim kodet e punës, por të kategorizuara në ato të popullit, dhe ato të udhëheqjes (tërësisht sekrete).
Ndërsa kanalet në të cilat shtrohej linja e telefonisë, specifikisht me udhëheqjen, quhej linjë e frekuencës së lartë. Ne si centraliste, kishim marrë porosi edhe për detaje specifike…! P.sh., mund të ndodhte që me shkresë zyrtare të vinte një porosi e rëndësishme për bisedat e Kryeministrin Mehmet Shehu, apo edhe anëtarë të tjerë Byrosë dhe unë realizoja një lidhje telefonike të veçantë, të tipit: unë dëgjoja bisedën e funksionarit nga ana tjetër e telefonit, por ai nuk më dëgjonte mua. Kjo ndodhte rrallë, por që me lëvizje të caktuara të fishave dhe kombinim të kodeve, bëhej e mundur në njëfarë mënyrë “survejimi” i bisedave të caktuara telefonike të udhëheqësve komunistë. Kishit një punë me jo pak përgjegjësi…!
Cili ka qenë për ju komunikimi më sekret që keni realizuar me ish-funksionarët komunistë?
Ka një dallim në këtë pikë…! Ndërlidhja kryesisht me të mëdhenjtë e asaj kohe, nga Enver Hoxha, te Kadri Hazbiu e të gjithë udhëheqësit komunistë, nuk realizohej direkt me ne nëpunësit, por me eprorët tanë, të vendosur nëpër dikasteret dhe zyrat e PTT-së. Ndodhte që sinjali më vinte direkt mua, dhe nëse më kërkohej nga ana tjetër e telefonit, një nga kolegët, apo eprorët e mi, unë ia kaloja linjën menjëherë. Të qenit centraliste në Drejtorinë e PTT-së, ka qenë punë me trysni të përditshme dhe shumë tension. Komunikacioni ka qenë në nivele fillestare, dhe shpesh dilnin kleçka dhe gjëra të papritura, prej të cilave mësoje çdo ditë nga një gjë të re. Siç e shpreha edhe më sipër, ndërlidhja me anëtarët e Byrosë Politike, bëhej me kode dhe shifra sekrete, të cilat ndërroheshin kohë pas kohe.
Kujtoj një nga momentet më pikante në 30 vitet e mia të punës në PTT. Ishte muaji nëntor i vitit 1960, e në Moskë bëhej mbledhja e famshme e 81 partive komuniste, mes tyre dhe ajo shqiptare, që kishte delegacionin e vet përfaqësues, me në krye Enver Hoxhën. Gjatë zhvillimeve të mbledhjes, doli lajmi që Enveri pati përplasje të forta me Hrushovin, dhe bashkë me Mehmet Shehun ishin larguar përpara përfundimit të mbledhjes. Në Drejtorinë e PTT-së, vjen radiogrami urgjent me mesazhin sekret, që shpjegonte çfarë kishte ngjarë në atë mbledhje, dhe detajin tjetër të pazakonte, që Enveri, për t’ju shmangur ndonjë atentati të mundshëm, nuk kishte udhëtuar në avionin qeveritar me pilotin e tij të besuar, Babaçe Faiku, por ishte nisur drejt Shqipërisë, me tren.
Si e përcollët këtë informacion më pas?
Ky lajm, alarmoi jo vetëm strukturat drejtuese të PTT-së, por menjëherë pas kësaj, u thirrëm i gjithë personeli në mbledhje. Porosia direkte që na u dha, nga ish-drejtori teknik i PTT-së, ishte që në mënyrë kategorike, nuk duhet të dilte jashtë punës, qoftë edhe një detaj i vetëm nga kjo ngjarje e pazakontë dhe e papritur. Lajmi u kodua në moment dhe iu dërgua ministrive përkatëse. Për mua, si punonjëse e PTT-së, ka qenë një nga momentet më me presion në punë dhe me shumë përgjegjësi, jo vetëm individuale, por edhe kolektive.
Ju e keni përjetuar edhe ngjarjen e vitit 1981, vetëvrasjen e Kryeministrit Mehmet Shehu. Si u përcoll ky lajm i bujshëm në institucionin tuaj?
Përpara se të mbërrinte te ne lajmi për “vetëvrasjen” e Mehmet Shehut, kishim dëgjuar në disa mbledhje të eprorëve të PTT-së, të krye inxhinierëve, e sidomos ata që punonin për linjat e frekuencës së lartë, se Kryeministri kishte ngritur pretendimin se bisedat e tij telefonike përgjoheshin. Dhe këtë deklaratë, ai e kishte bërë pasi kish dëgjuar zhurma të çuditshme gjatë kohës që bisedonte nëpër telefona.
Në fakt, ligjërisht, ishte e ditur që bisedat telefonike të udhëheqësve komunistë, përgjithësisht të individëve me mandat qeverisës, ishte e ndaluar të përgjoheshin?
Në shkresat zyrtare ishte e saktësuar diçka e tillë, por praktikisht, ndodhte e kundërta. Pretendimi i tij për përgjim të telefonatave, qoftë ato në vilën e banimit, por edhe në zyrë, apo shpesh edhe radioreletë që udhëheqësit komunistë përdornin me njëri-tjetrin, sa herë ndodhin në terren, kishte ardhur fill pas kontradiktave të para dhe ftohjes së raporteve me Enver Hoxhën. Ky pretendim ishte shprehur gojarisht, por kishte ardhur edhe me shkresë zyrtare.
Kështu që nevojitej një ndërhyrje dhe ri kontrolli specifik, nga ana e inxhinierëve më të zotë të PTT-së, për të saktësuar ndonjë defekt të mundshëm në linjë dhe për t’i dhënë zgjidhje, pakënaqësisë së Mehmetit. Menjëherë, të nesërmen pas shkresës, u dërguan specialistët e duhur, të cilët siç raportuan më pas, bën matjet në distancë, kryesisht të linjave me valë në vilën e Mehmetit dhe ku nuk u konstatua ndonjë defekt i mundshëm, po njëherësh u ndërhy teknikisht, përmirësimi i frekuencës së lartë, linjë ku edhe kalonin valët e ndërlidhjes së udhëheqësve komunistë.
Ndryshoi diçka, pas vdekjes së Enver Hoxhës?
Fryma e liberalizimit u ndje menjëherë, me vendosjen e Ramiz Alisë, mëkëmbësit të Enverit. Nuk kishte më vizita rrufe, të papritura në PTT, e sidomos në drejtorinë e institucionit tonë. Bisedat nisën të ishin më të lirshme dhe jo aq të survejuara, e kam fjalën më së shumti, për ndërlidhjen me udhëheqësit komunistë. Nisën praktikat e para për modernizim të aparaturave dhe teknologjisë, me blerje të reja dhe më inovative, por sërish të pakrahasueshme, me ato që janë sot. Nuk mund ta mohoj që praktikat e punës, u bënë më të lehta, por unë vetëm dy vite pas vdekjes së Enver Hoxhës, do të dilja në pension.
Po komunikimi i ditëve të sotme: fax, celularë, I-phone, I-pad…! Duket sikur keni punuar në terr teknologjik, për vite me radhë apo jo? Shumë prapambetje, kishte në ato vite…?!
Qoftë informative, apo edhe për mjetet e punës me të cilat punonim ishin shumë demode, jo praktike dhe të vështira në përdorim. Unë si centraliste kisha fishat, kufjet, gypat në raste të tjera në terren. Këto mjete amortizoheshin shpejt, për shkak edhe të ritmit me të cilin punonim. Është e pranueshme që me kalimin e viteve, sistemet evoluojnë, teknologjia në çdo fushë të jetës avancon, kështu që në këto ditë komunikimi është bërë më i lehtë dhe më praktik. Të paktën jam e lumtur që ia arrita ditës që të shoh vetë gjithë këto përparime, sidomos në fushën ku kam dhënë kontribut, për më shumë se 30 vite.