Kryetari i partisë Aleanca për Ndryshim në Preshevë, Shqiprim Arifi, tha se diaspora shqiptare është shumë e preokupuar me zhvillimet politike në vendlindjet e tyre.
Arifi tha në Samitin e Diasporës në Tiranë se e kupton zhgënjimin që ata kanë.
“E di zhgënjimin të cilin nganjëherë e kaloni kur i shihni proceset e brendshme politike, sidomos në vendin tonë. E di zhgënjimin kur i shihni politikanët si mua e të tjerët, kolegër e mi në Preshevë, në Maqedoni apo në Kosovë, Shqipëri, Mal të zi, kur i shihni vendimet e tyre të gabuara ndonjëherë dhe të çuditshme ndonjëherë. Por dua t’ju them, në emër të kolegëve të mi, në emër edhe tuajin që unë jam kthyer dhe kontribuoj në këtë fushë që jo çdo qeveri apo qeverisje është perfekte. Ne nuk mund të jemi perfekt në kushte të tilla. Ne kemi për ta përmirësuar pikë së pari veten, pastaj edhe të tjerët”, tha ai.
“Dhe në këtë formë, unë dua t’ju them juve vëllezër dhe motra nga diaspora, që mos u dëshpëroni, sepse nuk keni nevojë. Nganjëherë duket shumë keq, por në brendësinë e saj është duke u zvhilluar mirësia. Nganjëherë duhesh me e kalu zjarrin për t’u futur në xhenet. Nganjëherë duhesh me i tejkalu sfidat e tua të brendshme shoqërore për ta pasur një sukses në të ardhmen”, tha Arifi.