Sot në Kuvendin e Kosovës janë përplasur ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri. Ata hodhën akuza ndaj njëri-tjetrit lidhur me gjendjen e krijuar në institutin e Mjekësisë Ligjore, pasi muajt e fundit objekti i IML-së u përfshi nga zjarri dy herë, e një herë u zhduken mostrat e aktivistit Astrit Dehari, shkruan Gazeta Express.
Haxhiu i tha Tahirit se është turp që ai të flas, pasi sa ka qenë ministër nuk ka bërë asgjë për ta përmirësuar gjendjen në IML.
Ajo e akuzoi atë se edhe Shërbimin Korrektues të Kosovës e ka lënë në gjendje të keqe.
Me qenë si ti më kish ardhur turp më fol. Sepse ke qenë ministër i Drejtësisë dhe na thuaj këtu se cikli ka qenë veprimi ndonjëherë i yti për t’i adresuar problemet që i ke pasur në IML. As edhe një të vetëm. Asnjëherë. Sepse nuk e ke pasur interesin me i rregullu problemet në institucione. Me i adresu reformat në institucione. Keq ma ke lënë IML-në, SHKK-në që janë dy institucione të ndjeshme. Prandaj nëse s’ke bërë asgjë si ministër i Drejtësisë tashmë të paktën mundsh me heshtë. Ose nëse hesht mos me tentu me hedh hi këtu para deputetëve dhe rrjedhimisht edhe para qytetarëve të Kosovës”, ka thënë ajo.
Pas kësaj deklarate të ministres reagoi, Tahiri.
Ai tha se sa ka qenë ministër as nuk është përfshirë nga zjarri ndonjëherë IML-ja, as nuk janë zhdukur mostrat e as s’ka pasur skandale.
Po të ndodhte diçka e tillë, Tahiri i tha Haxhiut se nuk do të mund të rrinte as në skenën publike.
“Në kohën time me pas humb mostrat e Astrit Deharit apo cilit do rast tjetër, jo që nuk kisha mujt me vazhdu punën e ministrit të Drejtësisë, por s’kisha mujt me nejt as në skenën publike. Është e rëndë, është teper e rëndë me e marr një përgjegjësi të tillë dhe mos me bë as edhe një veprim të vetëm me humb mostrat e një rasti të tillë. Besom që nuk kisha mujt me vazhdu me qenë në jetën publike si pasojë e një dëmi moral që ma kish ba ky rast. Të paktën në kohën timë si ministër i MD-së nuk kam përjetuar avari të tille në MIL. Nuk kam përjetuar ndonjëherë humbje të mostrave, zjarrvënie e gjëra të tilla. Kam pasur punë me njerëz intelektual, profesionist të jashtëzakonshëm në IML. Me ardhë me dhanë arsyetime kaq të lehta për mënyrën sesi janë dëmtuar mbetjet mortore të heroit kombëtar Isa Boletini dhe me fol për Mustaqet e Adem Jasharit në at formë, kaq lehtë dhe mos me ndje asnjë tro përgjegjësi edhe e pabesueshme. Jo ministre por as në skenë publike nuk duhet me njëjtë, nuk duhet me të pa njeri në televizor. Është marre, është e rëndë. Ndoshta duke pasur përvojë nga Faton Dalldaku e sekserave tjerë që ke punu me ta ndoshta mundesh me ba ballë këtij presioni publik. Unë skish amujt asnjëherë mem pa fmija jem”, ka thënë Tahiri.
E Haxhiu sërish pati një kundërpërgjigje për Tahirin. Ajo tha se nuk do të ndihet asnjëherë e fyer nga Tahiri.
“Së pari i nderuar z. Tahiri që nga viti 2010 jam angazhuar në politikë dhe për gjithë veprimtarinë time politike, publike ndihem krenare. Vërtetë nuk mundesh me gjet asnjë moment kur unë kam bërë ndonjë skandal ose kur unë jam përfshirë në ndonjë aferë korruptive. Edhe përkundër që përmend fëmijët e mi, mendoj që edhe ata në të ardhmen do të krenohen me veprimet e mija. Unë nuk fyhem prej teje kurrë. Mos mendo që mundesh mem fy ndonjëherë, sepse ti nuk ki ndonjë integritet as moral, as profesional e as politik që t’i mem fy mu e unë me u ndi e fyer prej teje. Nuk po mundem me i përmend edhe disa çështje të tjera sepse jemi në Kuvend prandaj edhe po i respektojë qytetarët e Kuvendit të Kosovës, por nëse mendon se mundem me u fy prej teje harroje, sepse s’do të ndodhë ndonjëherë”, ka thënë ajo. /Express/