Ish-politikani i njohur serb, Nenad Çanak, ka folur për përshtypjet e veta nga një udhëtim i tij i mëhershëm në Kosovë.
Me këtë rast, Çanak ka prekur edhe çështjen e talljes së serbëve me shqiptarët kur flasin serbisht.
Ai ka thënë se ironizimi i shqiptarëve, kur flasin serbisht me theksin e vet, është primitivizmi më i madh që mund ta paramendosh.
Çanak ka thënë se shqiptarët me serbët duhet folur në gjuhën angleze.
“Isha në Kosovë, para do kohësh, para nja dy-tre muajsh. Pata dhe një ligjëratë në një universitet. Erdhën shumë njerëz të rinj. Universiteti ka ligjërata në gjuhë të ndryshme, përfshirë këtu edhe anglishten. Dhe, folëm anglisht. Ata më thanë se kanë marrëdhënie shumë të mira me një grup të rinjsh në Serbi dhe më pyetën se si mund ta intensifikojnë këtë për të qenë më të mira. Ju them – bëni një festival të muzikës. Më thonë – ‘e bëmë dhe ishte super, por ne duam edhe më shumë’. Unë ju them -provoni me (grupin) “Ekstazija”, kjo mund të ndihmojë. Natyrisht, si me humor! Ata më thonë, ‘ani po si t’ju afrohemi, si?’ Unë pyes – a din t’i bir serbisht? Më thotë – nuk di! I them: e, shiko, këtu është çelësi! Mos fol serbisht! Fol anglisht! Dhe bisedo me ata të cilët flasin anglisht!…E para: pse të dy atëherë jeni të barabartë. Për shkak se që të dy flisni gjuhën që nuk e keni amtare. Sepse ironizimi i shqiptarëve, kur flasin serbisht me theksin e vet, është primitivizmi më i madh që mund ta paramendoj, ngaqë tallesh me dikë i cili mundohet të flasë gjuhën tënde, për shkak se e flet pa theksin që është i mirë për veshin tënd… E, ai e flet gjuhën tënde! Hajde, flisni anglisht, që të dy, atëherë jeni të barabartë, dhe atëherë shihet se kush ka dhënë më shumë mund për të folur gjuhën që as për ty e as për atë nuk është amtare, dhe atëherë do të shikoni se hem do të ndihmoni njëri-tjetrin për të përsosur këtë gjuhë që pafundësisht është e rëndësishme për shkak të internetit, programimit dhe gjithçka tjetre, hem do të jeni në gjendje të përhapni një tip barazie…”, ka thënë Çanak.