A po vonohet publikimi i “hetimit ndërkombëtar” për Banjskën shkaku i Dialogut? Weber e Serwer flasin për Express

Sot bëhen saktësisht një muaj që kur emisari sllovak, Miroslav Lajcak, nga një konferencë për media në Prishtinë më 21 tetor, paralajmëroi se BE dhe NATO do të dalin shumë shpejt me të gjeturat për Banjskën. Megjithatë edhe pse kanë kaluar gati dy muaj nga sulmi terrorist në Banjskë dhe një muaj nga deklarata e Lajcak, BE dhe NATO s’kanë publikuar ndonjë raport apo hetim për Banjskën.

Besnik Velija

Por pse po ndodh një vonesë e tillë dhe a ndërlidhet kjo me procesin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë?

Lidhur me këtë Gazeta Express ka biseduar me ekspertin e DPC Global, gjermanin Bodo Weber dhe profesorin amerikan, Daniel Serwer.

Eksperti gjerman, Bodo Weber, ka thënë për Gazetën Express se është e qartë që BE, SHBA dhe NATO janë të përfshira në hetimin që po kryhet nga autoritetet e Kosovës dhe në analizimin e një numri të madh të provave për Banjskën.

Weber potencon se është e qartë që provat s’lënë shumë vend për dyshim që sulmuesit ishin armatosur, trajnuar e paguar nga Serbia dhe se rolin kryesor për këtë e kishte ushtria, konkretisht Ministria e Mbrojtjes së Serbisë.

Ai shton se është e pamundur që diçka e një madhësie të tillë të ketë ndodhur pa dijeninë e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vucic, por potencon se mbetet e paqartë nëse urdhri për zbatimin e planit u dha nga lartë apo Milan Radoicic vendosi njëanshëm.

“Por pavarësisht kësaj, ka më shumë se mjaftueshëm provat për Perëndimin që publikisht t’i prezantojë gjetjet dhe të nxjerr konkluzione politike, pra të ashpërsohet seriozisht me Serbinë”, ka thënë Bodo Weber për Gazetën Express.

Por pse s’po bëhen publike të gjeturat e hetimit ndërkombëtar dhe a mund të ndërlidhet kjo me implikimet që mund të ketë në dialog gjetja potenciale se shteti serb është përgjegjës direkt për Banjskën? Weber thotë se BE dhe SHBA e kanë një problem me Banjskën, meqë të gjithë politikën e dialogut, nismën franko-gjermane,  e kanë ndërtaur me një qasje qetësuese ndaj regjimit të Aleksander Vucicit.

Anëtari i DPC Global thotë se të bëhesh tani i ashpër me Aleksander Vucicin për shkak të Banjskës, do të kërkonte me patjetër sanksione, dhe kjo do të nënkuptonte “vrasje të nismës Frank-gjermane”. Eksperti gjerman thotë se Perëndimi po vonon publikimin e gjetjeve për Banjskën me shpresën për një përparim në negociata.

“Tani, pse Perëndimi nuk po e bën këtë, Unë do të thoja se BE dhe SHBA kanë një problem me Banjskën, sepse e kanë ndërtuar të gjithë politikën e dialogut, nismën Franko-Gjermane, me një qasje qetësuese drejt regjimit të Vucicit, që krijoi bazat për një paragjykim të caktuar pro-Beogradit. Të bëhesh i ashpër tani me Vucicin për shkak të Banjskës, e që përfundimisht do të kërkonte patjetër sanksione kundër Serbisë, do të vriste nismën Franko-Gjermane. Kjo është pse besoj, se pas një shoku fillestar të Perëndimit dhe pas një gjuhe të ashpër drejt Serbisë, Perëndimi duket se ka dyfishuar iniciativën ekzistuese, që ka dështuar tashmë para Banjskës, dhe po i vonojnë publikimin e gjetjeve, duke shpresuar që të shohin një përparim në negociata”, ka thënë për Express Bodo Weber.

Ai hedh poshtë opsionin që vonesat lidhur me publikimin e të gjeturave për Banjskën mund të lidhen me çështje teknike.

“ Jo, siç thashë – hetimi duket se tashmë ka prodhuar një pasqyrë relativisht të qartë për atë që ka ndodhur dhe rolin kryesor të shtetit serb në të. Nga ana tjetër, ndërkohë që flitet shumë për një të ashtuquajtur hetim ndërkombëtar, unë nuk shoh diçka të tillë në Serbi, d.m.th. një pjesëmarrje apo monitorim të drejtpërdrejtë të zyrtarëve perëndimorë në hetimin e autoriteteve serbe për Radoiçiqin – i cili gjithsesi duket qartë se është simulim i pastër”, ka shtuar tutje Weber.

I pyetur nëse edhe çështja e sanksioneve po përdoret si mjet presioni në procesin e dialogut, Weber thotë masat ndaj Kosovës janë pjesë e fuqizimit të politikës dhe nismës nga BE dhe SHBA, e që sipas Weber dihej që ka dështuar qysh para Banjskës por që s’janë ende të gatshëm për ta pranuar.

Eksperti gjerman i DPC thotë se këto sanksione të padrejta s’i kanë bërë përshtypje Kurtit para Banjskës, dhe tani s’do t’i bëjnë përshtypje edhe më shumë.

“Këto sanksione të padrejta nuk i kanë bërë përshtypje qeverisë Kurti para Banjskës, do t’i bëjnë edhe më pak tani”, ka përfunduar Bodo Weber për Express.

Lidhur me çështjen e hetimit ndërkombëtar dhe mospublikimit të gjetjeve për Banjskën për Express ka folur edhe eksperti amerikan, Daniel Serwer. Ai ka thënë se për një gjë të tillë duhet pyetur Bashkimi Evropian meqë në SHBA s’ka parë dikë që dyshon në përfshirjen direkte të Beogradit në aktin terrorist të Banjskës.

“Duhet të pyesni BE-në. Nuk kam gjetur askënd në Uashington që dyshon në përfshirjen e drejtpërdrejtë të Beogradit në këtë sulm terrorist”, ka thënë Daniel Serwer për Express.

Profesori i Johns Hokpins mendon se ka kaluar mjaftë kohë edhe për një “BE tejet të ngadaltë” që të arrijë në një përfundim për Banjskën.

I pyetur nëse edhe me masat po përdoret taktikë e njëjtë sikurse me hetimin ndërkombëtar, Serwer pohon se BE-ja po synon që përmes masave t’i bëjë presion Kurtit, megjithatë thotë se taktika s’po funksionon.

“Po, masat e BE-së synojnë të bëjnë presion ndaj Kurtit. Taktika nuk duket se po funksionon”, ka përfunduar për Express, Daniel Serwer.

Për mungesën e një raporti ndërkombëtar lidhur me rrëmbimin e policëve dhe sulmin në Banjskë ku u vra Afrim Bunjaku ka shkruar më 19 nëntor edhe kryeministri Albin Kurti.

Kreu i Qeverisë së Kosovës ka thënë se KFOR, EULEX dhe BE-ja duhet të dalin me raport publik e zyrtar ku ia atribuojnë Serbisë aktin e sulmit në Banjskë e ku dënojnë edhe riorganizimin e grupit të Radoiçiqit.

“U bënë pesë muaj pas rrëmbimit në Leposaviq të policëve tanë kufitar Rifat Zeka, Beqir Sefa e Shemë Mustafa dhe tetë javë nga vrasja e rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku. KFOR-i, EULEX-i dhe BE-ja, duhet të dalin me raport publik e zyrtar ku ia atribuojnë Serbisë aktin e agresionit dhe krimin e terrorizmit, dhe ku dënohet riorganizimi i grupit të Radoiçiqit”, ka thënë Kurti në një reagim në të cilin thoshte se Radoiçiq ka realizuar një takim në Rashkë me krerët e Listës Serbe, takim të cilin e ka cilësuar si riorganizim.

Të hënën në Kosovë ka qëndruar edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-së, Jens Stoltenber, megjithatë s’ka pasur asgjë konkrete lidhur me hetimin për Banjskën./GazetaExpress/