Ruajtja e rezervave shtetërore të Kosovës deri më tani është konsideruar si ”Top Sekret”. Por, autoritetet shtetërore aksidentalisht janë hapur pak, duke treguar kështu vendndodhjen ku do të ruhet nafta e blerë për rezervat shtetërore, shkruan Demokracia.com.
Nafta e blerë nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë për rezervat shtetërore, do të ruhet në njërën prej depove të derivateve të naftës së Ndërmarrjes Shoqërore INA-TROGOVINA ZAGREB, asetet e të cilës janë të lëshuara me qira nga AKP-ja. Lista e aseteve të lëshuara me qira nga ky institucion i është ofruar Demokracia.com përmes kërkesës për qasje në dokumente publike.
Aty shihet edhe vendndodhja e depos së marrë me qira nga MINT-i për ruajtjen e derivateve të naftës si rezervë shtetërore.
Kjo është bërë e ditur në një raport të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), që objekti (vend i njohur për redaksinë) është marrë me qira vjetore nga MINT dhe kushton 20 mijë euro.
Në raport shihet se janë rreth 20 pompa të INA-TROGOVINA ZAGREB, të cilat janë nën autoritetin e AKP-së të lëshuara me qira për disa biznese. Të gjitha janë të lëshuara me qira nëpërmjet procedurave konkurruese, pos kësaj të MINT-it, e cila është dhënë me negocim direkt, shkruan Demokracia.com.