Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka pritur sot në selinë e partisë së tij ambasadorin e SHBA-së, Jeffrey Hovenier. Haradinaj ka thënë se në takim ka konfirmuar qëndrimin e AAK-së në përkrahje të planit franko-gjerman, shkruan Express.
Ish-kryeministri Haradinaj ka thënë se plani franko-gjerman duhet t’i mundësojë Kosovës rrugën e njohjes nga Serbia, anëtarësimin në NTO dhe organizatat ndërkombëtare.
“ Sot, në selinë e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës prita në takim Ambasadorin amerikan në Kosovë, z. Jeffrey Hovenier, me të cilin diskutuam për zhvillimet e fundit në vend.
E falënderova personalisht Ambasadorin Hovenier për angazhimin e tij dhe të ShBA-ve për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës.
E konfirmova qëndrimin e Aleancës në mbështetje të Planit Franko-Gjerman duke theksuar se ky plan duhet që Kosovës t’i mundësojë rrugën e njohjes nga Serbia, anëtarësimin në NATO dhe organizatat tjera ndërkombëtare”, ka shkruar Haradinaj./Express/