‘Cfeklla’, Ramush Haradinaj i quan rrenca Albin Kurtin, Muratin e Sveçlën: Tepër idiot duhesh me kanë me ofendu njerin që e jep jetën për ty

‘Cfeklla’, Ramush Haradinaj i quan rrenca Albin Kurtin, Muratin e Sveçlën: Tepër idiot duhesh me kanë me ofendu njerin që e jep jetën për ty

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kritikuar ashpër dhe ka ofenduar kryeministrin e vendit, Albin Kurti dhe vartësit e tij, ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.

Duke folur për protestën e policëve elitarë, Haradinaj ka komentuar deklaratën e Kurtit se të ardhurat e një polici të njësisë elitare kanë kapur shifrën edhe të 2 mijë eurove.

Sipas tij, kjo është gënjeshtër dhe është shprehur se treshja qeverisëse meritojnë çdo ofendim.

Haradinaj madje ka ironizuar me mbiemrin e ministrit Sveçla, duke iu referuar si Xhelal ‘Cfeklla’.

“Ky s’ka lanë kon pa mashtru. Nuk e di kush nuk është i mashtrum prej Kurtit. Ka thanë nuk do t’i rriti çmimet e energjisë. Na kritikojke. 2 euro është rritë çmimi i energjisë prej ardhjes së Kurtit. Unë kam qëndru dy vjet në Qeveri, s’është rritë asnjëherë çmimi i energjisë. Kurti dy herë e ka rritë çmimin e energjisë. Jonë rritë çmimet tjera. Nuk e ka rritë investimin në paga, i ka bo do lëvizje do mashtrime si te Policia që është për turp. Pastaj në kohën kur ti po mburresh për siguri e për trimni e për heroizëm, po i ki policët para dere t’u ta lyp pagën. Edhe jonë shumë rrenca. Shiqo, unë beso në Zot, më vjen marre prej këtyre njerëzve. Ku e kanë ftyrën këta njerëz? Ku e ka fytyrën Hekuran Murati, Albin Kurti, Xhelal Cfeklla. Më falni, rrenca jonë. E meritojnë çdo ofendim. Thotë polici e ka rrogën 2 mijë euro. Pse po rren? 500 euro e ka rrogën. Ai njeri u met në veri për javë të tana s’është ardhë në shtëpi. Ai s’ka jetu, ata veç me e pa vra se më shumë s’ke pasë çka i bon. Ai i ka marrë orët shtesë në bazë të ligjit”, ka thënë ai.

Sipas Haradinaj, pagesën për orët shtesë e ka bërë ai në kohën që qeveriste me vendin.

“Ato orë shtesë unë i kam dhanë kur kam ardhë Qeverie, më kujtohet biseda me Bedri Hamzën, e kam thirrë ministrin e Financave, i kam thanë: ministër, nuk është shtet shteti që i rrin borxh policit për orë shtesë. Prej atëherë ka fillu pagesa e orëve shtesë. Nuk e ka bo Kurti këta. Krejt Kosova e dinë, e din Policia, unë e kam ba. T’i thuhet i ke marrë 2 mijë euro, kur e ke lanë njerin 24 orë, e ke pa kur i shajshin serbët në veri, këta t’u kalu përmes tyne, të palamë, të pandërrum, pa kurgjo, nëpër kontejnera. Ai nuk po t’i lyp ato. Ai nuk po thotë mos më le ti mu atje me nejtë, veç rrogën po ta lyp,. Si njeri që i takon rroga. Rrenë është [që s’ka buxhet]. Çfarë rrene është kjo. Çfarë rrenca jonë. thotë e ka rrogën kështu i ka të hyra kështu. Trego drejtë. Polici e ka rrogën 560 euro, qaj që po shkon me vdekë në veri. E unë që jom deputet, që ulna aty e kom njo 2 mijë euro. 1700 e kom. Edhe kom asistent. Sa këshilltarë i ka Kurti sot? 50 këshilltarë i ka bo? Sa Ministri i ka? Sa gjipa i ka Kurti? Pare jonë. Ku po i kanë paret për ato, e s’po ka pare që është t’u vdekë atje. Që familja e tij nuk e dinë a iu kthehet. Edhe del e rren thotë e ka rrogën kaq”, është shprehur Haradinaj.

Ai ka insistuar në atë që ‘kryeministri është rrenc’, duke thënë se kjo është turp, teksa ka përmendur edhe paratë që sipas tij shpenzohen në rrjete sociale për të sharë e ofenduar kundërshtarët e partisë në pushtet.

“Ky maspari është turp që e kemi një kryeministër rrenc. Që rren edhe për njerëzit që dojshin me vdekë për to. Kur ishte atje për me i rritë votat e përcillnin herojtë tanë, kur erdh puna me ia dhanë rrogën… s’është në rregull. Qato pare që i çon në internet me i sha tjertë, t’ua jep pra. Miliona ka në internet në këtë ushtrinë e internetit me i sha tanë, me kampanja mediatike, me video. I ka mbledhe do bërlloka, mener me thanë, ku i ka gjetë do që i kanë gjetë sistemet e ktynehershme, prej të tjerëve, i ka mbledhë qata bërlloka. Me ta i shan e i fëlliq. Ka edhe në institucione, i ka gjithkun. Qata që ia lëshojke në Grenellit në shpinë. Që ia lëshon Escobarit. Që m’i lëshon edhe mu e tjerëve. Harxhojnë aty shumë pare. Dihet botërisht, me serëera, me para, llaptopa, telefona, krejt i ka. Edhe ai nuk po e mohon që i ka”, shtoi Haradinaj.

Haradinaj deklaroi se Kurti atë ditë është dashur të ulet dhe të diskutojë me ta rreth pakënaqësive të tyre.

“Unë jam ndi shumë keq për policët. Trishtim më ka ardhë. Ai është dashtë me i ftu në një kafe atë ditë. Kur i kanë dalë para zyrës me iu thanë urdhnoni hyni në sallë, ulnu aty. Me marrë ministrin e Financave, me shku me diskutu ku jonë problemet. Jo me dalë me rrejtë për ta, me i ofendu”, u shpreh ai në Rubikon.

Po ashtu, ai ka nisur kritika edhe për të gjithë subjektin politik Lëvizja Vetëvendosje, të cilët i quajti njerëz të pashpirtë, teksa u bëri thirrje t’i dërgojnë të afërmit e tyre në veri të vendit.

“Duhesh me kanë shumë idiot me ofendu njerin që po e jep jetën për ty atje. Tepër idiot duhet me kanë. Sikur ai Murati që thojke me pa pagu na mercenarë në luftë. Është një problem, cili prej këtyre, a e ka Albini djalin, a vëllain, a grunë? Kon e ka Albini prej familjes në veri? Cili deputet i VV-së e ka ja djalin, ja vëllain, ja çikën, ja kon e ka në veri? Këta janë pashpirt këta njerëz, këta i çojnë atje me vdekë njerëz. Asnjë pikë ndjenje s’e ka. Luan me ta si me… janë të pashpirtë. Nuk kanë shpirt njeriu. Ta çon çdo kryetar i Komunës, e çdo ministër, e çdo deputet fëmijën e vet atje, pa rroga po i lojmë. Veç ta çojnë fëmijën e vet. Asnjë s’e kanë të rrezikum për jetë”, tha ndër tjera Haradinaj.