Ish-ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj, po vazhdon dëshminë në Hagë në rastin Thaçi dhe të tjerët.
Dedaj përgjatë dëshmisë së tij ka thënë se është shkarkuar, siç tha ai dhunshëm, nga detyra e ambasadorit nga Vjosa Osmani, presidentja e vendit, teksa në vend të tij është emëruar bashkëshorti i presidentes, Prindon Sadriu.
“Së fundmi kam qenë ambasador i Republikës së Kosovës që jam larguar dhunshëm, brutalisht dhe politikisht nga e ashtuqujtuara presidente Osmani për qëllime politike, sepse në vend timin e ka dërguar burrin e saj dhe në bashkëpunim me ambasadën turke në Shkup më ka largu nga pozita ambasadorit”, ka thënë Dedaj.
Gjatë dëshmisë së tij, Dedaj ka përshkruan raportet që Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) ka pasur me partitë politike shqiptare në Prishtinë gjatë kohës së luftës.
Dedaj tha se forca politike në Prishtinë e ka shikuar me xhelozi UÇK-në.
“UÇK-ja që nga shfaqja e saj e parë publike me 28 nëntor ’97 në varrimin e mësuesit Halit Geci në Llaushë domethënë është shikuar me rezervë, por ajo filloi të rritej, të hapej dhe të gëzonte respekt gjithë andej Kosovës dhe forcat politike në Prishtinë e kemi shiku me xhelozi”, tha Dedaj.
Po ashtu, Dedaj tha se nuk ka qenë asnjëherë anëtar i UÇK-së pasi sipas tij, jo të gjithë kanë pasur guxim.