Gazetari, Armir Shkurti, analizoi në një program televiziv përplasjet e dhunshme në Kuvendin e Republikës.
Shkurti tha se përplasja në parlament nuk është e vërtetë dhe janë thjesht shashka që u drejtohen militantëve dhe ndërkombëtarëve.
Duke krahësuar me plagosjen e Azem Hajdarit nga deputeti socialist Gafur Mazreku, gazetari tha se në rastin e parë konflikti ishte i vërtetë, ndërkohë që përplasjet sot i cilësoi si sherre “gocash”.
“Ne kemi parë dhe armë në parlament, por ajo ka qenë shumë e vërtetë. Plagosja e Azem Hajderit ka qenë “genuine”, doli një burrë që u ofendua dhe i ra me armë. Por këto përplasjet kështu, me shpulla gocash të cilave francezët u thonë “petar”, më falni për shprehjen që ka p*rdhë. As bau nuk bëjnë këto, këto janë shashka që i bëjnë efektet e tyre në target-grup. Thashë që u drejtohen militantëve dhe ndërkombëtarëve”, tha gazetari.
Gjithashtu ai sqaroi se si partitë politike organizojnë atë që ai e quajti spektakli mes mazhorancës dhe opozitës.
“Në ’69-ën ka dalë një libër që ka bërë epokë që titullohet “Shoqëria e spektaklit”. Lumë kush e kupton që ne jetojmë në shoqërinë e spektaklit. Këto që shikojmë nuk janë nerva të vërteta dhe nuk janë revolta të vërteta. Këto janë thjesht spektakël. Ky është një kod me të cilin flitet në radhë të parë me militantët dhe në radhë të dytë me ndërkombëtarët. Kështu ka qenë gjithmonë. Dilte Enver Hoxha përshëndeste me dorë nëpër tribuna dhe pastaj transmetohej në koncerte, në filma artistike dhe dokumentare. Filloi demokracia dhe kështu u krijua spektakli që pala në opozitë është e revoltuar me pushtetin e hajdutëve dhe do të luftojë për të drejtat e popullit dhe me rotacion këtë rol e merr aktori tjetër I cili kishte rolin e të mirit më përpara”, tha gazetari.