Artisti Ҫun Lajҫi në një postim të tij në Facebook i është përgjigjur kritikëve të tij, pse mbështet të gjithë liderët më radhë që janë në pushtet.
AI tregon pse fillimisht mbështeti Presidentin historik, Ibrahim Rugovën. Më pas mbështeti edhe Hashim Thaҫin, Ramush Haradinajn e tani edhe kryeministrin Albin Kurti.
Ai shkruan se të gjithë këta politikanë i mbështeti sepse ishin të zgjedhurit e popullit.
“Unë s’deshta t’jem dele e zezë që të ndahem nga populli”, shkruan artisti Lajҫi.
Ky është postimi i plotë:
Unë s’deshta t’jem dele e zezë që të ndahem nga populli!
Kam dashtë me qenë i jueji e për juve me thurë kangë e vargje, që kur luftëtarët e lirisë, me plagët e njoma, zbritën nga malet dhe na morën ngrykë me shpresën se nesër, mbasnesër, deri n’amshim, do t’jemi gjak e gjuhë e vllazni e Kosova mish që nuk çkapet nga kockat!
Kam dashtë kaherë me ju thanë; – i jueji dojsha me qenë me shpirt, me fjalë, me vepër e s’dojsha me iu lanë vetëm as n’morte as n’dasma! Gëzimin dojsha me nda me juve e ju, me nda idhnimin me mua, por djersën me ia falë atdheut e kopësht bozhurësh me ba Kosovën!
– Dhe
Ju e zgjodhet birin tuej që t’jetë prietar, lider i shtetit të sapo lulëzuem; – Ibrahimin, dhe unë si Ju, u rreshtova mbas tij! Duhej ndihmua njeriun që e zgjodh populli, ndaj s’kishte pse t’mungonte ndihma ime prej artisti!
– Dhe
Ai iku n’amshim e populli e zgjodhi Hashimin; – simbolin e UÇK-së, dhe unë, si shumica u rreshtova mbas tij, se i duhej fjala e zjarrtë e artistit e s’duhej kursye për liderin e ushtarin e UÇK-së!
– Dhe
U kthye nga Haga Ramushi, Gjenerali i Dukagjinit e populli u vargis mbas tij e artisti s’kishte pse t’bahej dele e zezë, ndaj e përkrahi me vargun e protestën për Çakorrin dhe kur u zhgenjyen me demarkacionin, erdhi ky tjetri që premtoi gjithçka ma mirë se t’parët dhe populli brohoriti; – mbas teje jemi!
Unë mendova e çmendova e thashë; – po shkoj aty ku asht populli se ndoshta i duhet arti im dhe s’e kurseva vargun për liderin që tha; – hajnat n’burg! Stop korrupcionit! Bashkim me Shqipërinë!
– Dhe
Njerëz që s’dinë çka flasin e pse jetojnë; – me shanë, edhe kur isha për Ibrahimin, edhe kur e mbështeta Hashimin edhe kur recitova për Ramushin, edhe sot kur shkruej fjalë miradie për Albinin!
– Me thoni; – ç’faj kam unë që u mundova me i mbështetë të përzgjedhurit tuej?
A s’ishin bijtë e juve këta liderët që me votat tueja erdhën n’pushtet!?
Unë me vargje jam mundua ti qëndisë e t’u jap zemër bijëve tuaj që Kosova t’jetë kopsht i lulë-bozhureve t’kuqe!
Mendova; – bijtë tonë janë! Mos e kurse lavdin se populli s’guxon t’përçahet!
– Dhe
Ja! Ua thash ma n’fund, pse s’mujta me ngulë në as nji cung sopatën, e pse deshta me qenë i Jueji, pranë Jush dhe me Juve e ju kurrë s’me pranuet.
– Tani gjykoni si të doni, por liderët i sollet ju e unë s’deshta t’jem dele e zezë që të ndahem nga populli!
Hej!
Nesër, prap do ta përkrah tjetrin me kaq zell e dashuni!
Tetor 2023