MPJ franceze ka publikuar një përgjigje të saj rreth çështjes së liberalizimit të vizave për Kosovën. Ka konfirmuar se kjo temë do të diskutohet më 23 qershor në Samitin BE -Ballkani Perëndimor. Komisioni Europian ka konfirmuar se Kosova i ka përmbushur kushtet të parapara me udhërrëfyes, por interpretimi i Francës, që kërkon më shumë luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, është që kjo duhet të bëhet në plan afatgjatë.
Çfarë do të ndodhë më 23 qershor? Ministria e Jashtme e Francës ka konfirmuar se çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën do të diskutohet në takimin mes Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor, i cili do të mbahet më 23 qershor në Bruksel.
MPJ e Francës në faqen zyrtare të saj ka publikuar një pyetje, në të cilën thuhet se Kosova e bën me faj Francën se po e ngadalëson këtë proces, si dhe është dhënë përgjigjja për këtë. “Pavarësisht rekomandimeve të Komisionit Europian, kosovarët nuk kanë viza Shengen. Sipas Prishtinës, Franca është një nga vendet që po e ngadalëson këtë proces. Pse është kështu? A do të trajtohet kjo temë në Samitin BE-Ballkani Perëndimor?”, është pyetja e MPJ-së. Në përgjigje thuhet se samiti do të shërbejë edhe për këtë çështje.
“Takimi i 23 qershorit i liderëve nga Bashkimi Europian me atë të Ballkanit Perëndimor do të jetë një shansë për të diskutuar mundësinë që vendet në rajon të përmbushin perspektivën e tyre europiane, ndër temat e tjera. Për sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën, kjo çështje është pjesë e një udhërrëfyesi që është miratuar nga Bashkimi Europian, i cili përfshin një sërë kushtesh që duhet të përmbushen efektivisht në afat të gjatë”.
Megjithatë, këto kushte Kosova i ka plotësuar që një kohë të gjatë. Datën 23 qershor e ka përmendur dje edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani, në konferencën e përbashkët për media me presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel. Ajo tha se nëse do të ndodhë liberalizimi ose jo është në vullnetin e shteteve anëtare, derisa njoftoi se institucionet e Kosovës janë në kontakte me të gjitha shtetet e Unionit veç e veç, me disa prej të cilave ende s’kanë marrë përgjigje përfundimtare.
Franca dhe Holanda janë dy shtetet më skeptike për procesin e liberalizimit të vizave, përkundër vërejtjet që i ka shprehur Kosova se është shteti i vetëm në Europë që po izolohet padrejtësisht.