Si (nuk) e arsyetoi Kurti pranimin e Asociacionit

E gjithë kauza e opozitarit Albin Kurti – angazhimi më i madh kundërshtues politik i tij – u shkërmoq në momentin kur ai, në kostumin e Kryeministrit të Kosovës – pozita më e rëndësishme institucionale në Kosovë – pranoi draftin e propozuar nga bashkësia ndërkombëtare për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Madje, këtë e bëri edhe pa e dhënë as më të voglin arsyetim. Në konferencën për media të premten, kur doli për të folur për këtë çështje, ai vetëm tregonte se si ky draft është shkruar në kujdes ndaj shkronjës dhe strukturës së Kushtetutës.

Kryeministri nuk foli, e as nuk u pyet, për protestat masive që i kishte organizuar dhe gazin lotsjellës që e kishte hedhur në kuvend si kundërshtim ndaj Asociacionit, për të cilin kishte përzgjedhur që ta quante në gjuhën serbe “Zajednica”, kjo për të treguar dëmin që i kanosej Kosovës në rast zbatimi të këtij mekanizmi.

Sipas Kurtit opozitar, Asociacionin apo “Zajednicën” siç e quante ai, “nuk mund ta pranojë dikush i cili nuk është serbofil”.

“Vetëm nga pozita e një serbofilie mund ta pranosh Zajdnicën”, thoshte Kurti opozitar në një intervistë për “KTV”.

Tani që e pranoi, çfarë tha?

Në një konferencë për media të premten e 27 tetorit, një ditë pasi që u bë publike se ka pranuar draftin për Asociacionin, Kurti tha se ky draft ishte shkruar me kujdes ndaj shkronjës dhe strukturës së Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.

Për herë të parë, drafti që Kurti e pranoi, iu prezantua atij të shtunën e 21 tetorit, nga “pesëshja e madhe”.

Delegacioni perëndimor që ia dorëzoi në zyrë Kurtit draftin, udhëhiqej nga i Dërguari Special i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak – të cilin e kishte akuzuar se po mban anën e Serbisë – i cili pranë vetes, për të dytën herë me radhë, kishte amerikanin Gabriel Escobar dhe këshilltarët, atë francez Emmanuel Bonne, gjermanin Jens Plotner dhe italianin Alessandro Cattaneo.

“Më 21 tetor, nga emisarët amerikano-evropianë na është thënë se drafti për vetëmenaxhim është shkruar me kujdes ndaj shkronjës dhe strukturës së Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës dhe që nëse do të nënshkruhej aty parashihej që ta kontrollonte Gjykata Kushtetuese menjëherë, pra që Kushtetuesja të japë vlerësimin e saj për kushtetutshmërinë e këtij propozimi si përgjigje”, deklaroi Kurti.

Ndërsa, kontradikta më e madhe në këtë mes mund të gjendet vetëm dy ditë pasi që e zhbëri kauzën më të madhe politike të tij.

Në një fjalë rasti në konferencën me temë “Lidershipi në kohë sfiduese”, të organizuar nga kolegji UBT, tha se njëri nga cilësitë e një lideri të mirë “është përkushtimi parimor ndaj një kauze të drejtë”.

Duke folur për cilësitë fundamentale të liderit që e definojnë një lider të mirë dhe të madh, Kurti përmendi dy virtyte që duhet të ketë një lider i mirë.

“Cilësia e parë e një lideri është efektiviteti pragmatik për të tërhequr dhe mirëmbajtur ndjekës ose mbështetës”, pohoi ai.

Për Kurtin, cilësitë që e përcaktojnë një lider të madh, definohen nga vullneti për të sakrifikuar interesin e tyre për një kauzë më të madhe.

“Pra, liderët e mëdhenj janë aq të dedikuar ndaj parimeve të tyre dhe aq të vendosur për t’i mbrojtur ato në mënyrën më të mirë, sa që janë të gatshëm të sakrifikojnë interesin e tyre personal”.

Çka përmban drafti evropian për Asociacionin?

Albanian Post e ka parë statutin e Asociacionit të propozuar nga ndërkombëtarët dhe ai është shumë i përafërt me atë që ka propozuar Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Statuti i pranuar, të cilin e ka parë AP, ka të adresuara shqetësimet e opinionit të Gjykatës Kushtetuese dhe për t’u hartuar janë konsultuar Marrëveshja e vitit 2013, ajo e vitit 2015, opinioni i Kushtetueses, letra e Kurtit për vizionin e tij për vetë-menaxhimin e publikuar në llogarinë e tij në Facebook me 2 maj të këtij viti dhe disa drafte të tjera të propozuara nga organizata jo qeveritare, siç ishte ai i FES-it.

Meqë shqetësimet e Gjykatës Kushtetuese në opinionin për Parimet e Përgjithshme të vitit 2013 ishin se mos Asociacioni merr pushtet nga nivelet tjera siç është Qeveria, apo Komunat, apo se mos përbën një institucion ekskluziv për të mbrojtur dhe promovuar komunitetin serb në Kosovë, atëherë statuti i ri e nxjerr Asociacionin si një institucion të ri publik në Kosovë, por që nuk ia prekë pushtetin as komunave e as Qeverisë, vetëm se angazhohet në zbatimin e detyrave në fusha të caktuara, me theks: arsim dhe shëndetësi.

Është sqaruar po ashtu edhe termi problematik “full overview”, i cili në shqip ishte përkthyer si “vëzhgim” e në serbisht si “auditim”.

Në statutin e ri “full overview” nënkupton administrim të Asociacionit në zhvillim ekonomik, shëndetësi, arsim, planifikim urban dhe rural dhe disa fusha të tjera.

Asociacioni do të ketë të drejtë të punësojë edhe staf dhe ata do të quhen “shërbyes civilë”.

Statuti rregullon edhe pagesën, donacionet dhe shërbime të tjera që Serbia ia ofron direkt Asociacionit. Rregullohet edhe raporti me Qeverinë e Kosovës.

Përkundër adresimit të shqetësimeve të Kushtetueses, statuti i ri duhet të validohet nga Gjykata Kushtetuese, ashtu siç ishte paraparë në Marrëveshjen për Parimet të vitit 2015./AP