Thellë nën tokë brenda mureve, minatorët e Trepçës po kalojnë ditën e pestë të grevës së urisë.
Të shtrirë në radhë njëri pas tjetrit, pavarësisht gjendjes së përkeqësuar shëndetësore, ata nuk po heqin dorë nga rezistenca.
“Dje kam dalë i alivanosur, kam marrë trajtimin mjekësor nga doktori. Pas trajtimit, diku nga mesnata kam ardhur dhe u jam bashkangjitur shokëve. Ne do qëndrojmë këtu deri të na plotësohen kërkesat”, ka thënë minatori, Lavdim Murseli.
“Ditën e djeshme i kemi pasur tri raste më të rënda. Njëri ka pësuar gati sulm kardiak. Nuk na ka dëgjuar asnjërin, derisa kanë ardhur mjekët dhe e kemi nxjerrë më dhunë e kemi dërguar lart. Donte të vdiste këtu dhe ka thënë se do të qëndrojë deri të na plotësohet bile kushti i dytë”, ka deklaruar një minator.