Të shtunën e 21 tetorit në Kosovë dhe Serbi qëndroi pesëshja evro-amerikane.
Temë e diskutimit me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti në Prishtinë dhe presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq, në Beograd ishte agresioni i Serbisë në Banjskë ku u vra polici i Kosovës Afrim Bunjaku.
Po ashtu dy emisarët në dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak e Gabriel Escobar, bashkë edhe me këshilltarët e presidentit francez Emmanuel Macron, kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe kryeministres italiane Giorgia Meloni, me liderët e Kosovës e të Serbisë folën edhe për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.
Lidhur me këtë, opinionisti Dardan Sejdiu, tha në emisionin Rubikon në Klan Kosova se kjo është “Thembra e Akilit” për Albin Kurtin.
“Nuk eci në atë drejtim. Dhe gjithsesi nuk do të ec as tash”, tha Sejdiu në Klan Kosova.
Ndryshe sot, zëdhënësi i Bashkimit Evropian Peter Stano tha se në Bruksel gjatë javës do të ketë një takim mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq.