Punonjësi urinon brenda depozitës së birrës

Një video virale nga Kina ka nxitur hetimin e policisë pasi një punëtor në një fabrikë të birrës është filmuar duke urinuar brenda depozitës me përbërësit e pijes alkoolike.

Video ka marrë miliona shikime në rrjetet sociale, ku shfaqet punonjësi i një prej kompanive më të njohura të birrës në Kinë, që urinon në depozitën me përbërësit.

Kompania në fjalë, pasi u vu në dijeni të kësaj video, thotë se lajmëroi menjëherë policinë për hetime, ndërsa depozita me përbërësit e birrës është mbyllur.

Gazeta “National Business Daily” raportoi se, sipas një burimi të kompanisë, si personi që urinonte ashtu dhe ai që ka filmuar videon, nuk janë punonjës të drejtpërdrejtë të fabrikës së birrës.

Kompania “Tsingtao” është një nga prodhuesit më të mëdhenj të birrës në Kinë, por njëkohësisht edhe një nga eksportuesit më të rëndësishëm.

Aksionet e kësaj kompanie ranë ndjeshëm në Bursën e Shangait, pas publikimit të kësaj videoje.

/tvklan.al