Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës dhe ish ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku e ka quajtur “shfaqje teatrale” paraqitjen e sotme të presidentit serb Aleksandër Vuçiq, i cili e fajësoi Kryeministrin e Kosovës Albin Kurti për ngjarjet në Banjskë.
Çitaku në një postim në Facebook ka thënë se Kurtin e ka oponent politik për çështje të brendshme, por se për gjendjen e sotme në veri ka faj Srbia dhe grupet e saj paramilitare.
Postimi i plotë:
Shfaqje teatrale dhe patetike e Vucicit sonte.
Kurti tha ka faj. Njejtë thonin për Thaçin, Mustafën, Haradinajn.
Kurtin unë e kam oponent politik dhe e kundërshtoj zëshëm për politikat e tij. E fajësoj për mungesën e reagimit qeveritar karrshi inflacionit, mungesës së projekteve zhvillimore, mungesën e koordinimit me SHBA dhe BE. E kritikoj për rrënimin e dialogut social me media, biznese, shoqëri civile, opozitë. E kritikoj për qasjen e tij në dialog me Serbinë.
Por, për gjendjen e sotme në veri, Serbia dhe grupet paramilitare kanë faj. Ju e keni provokuar situatën.
Shpresoj ta merrni mësimin.
Kosova është ndërtuar qe 24 vite.