Mbrëmë u zhvillua ndeshja shumë e rëndësishme e Kosovës ndaj Zvicrës, në kuadër të kualifikimeve për Euro 2024.
“Dardanët” arritën një barazim të madh, ndërsa prezent në stadium nuk ishte kryeministri Albin Kurti, ndonëse i kishte vizituar para lojës dhe i kishte motivuar paraprakisht.
Ai kishte vendosur të merrte pjesë në një tjetër event sportiv, në hapjen Lojërave Mesdhetare në rërë në Heraklion të Greqisë.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kurti bashkë me zëvendësministren e kësaj ministrie, Daulina Osmani kishin takuar ekipin kosovar në këto lojëra.
Megjithatë, Kurti ishte i shpejtë në reagimin e tij pas barazimit të Kosovës ndaj Zvicrës, duke thënë se beson ende në kualifikim dhe falënderoi lojtarët për emocionet e dhuruara.
Kosova në edicionin e tretë të Lojërave Mesdhetare në Rërë Heraklion 2023, po paraqitet me sportet e hendbollit në rërë, volejbollit në rërë, basketbollit 3X3, notit në ujëra të hapura dhe karate në kata.
Lojërat do të mbahen deri më 16 shtator, ku do të shfaqen 26 sportistë nga Kosova.