Ish-kryeministri Ramush Haradinaj dhe i gjithë kabineti i tij për dy vjet kanë marrë mbi 200 mijë euro mëditje për udhëtimet jashtë vendit.
Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, duke se i ka shumë në qejf paratë.
Vetëm përgjatë vitit 2018, dhe 2019, ai së bashku me gjithë zyrtarët e kabinetit të tij, kanë marrë mbi 200 mijë euro mëditje për udhëtimet jashtë vendit.
Të dhënat janë zbardhur nga Zyra e Kryeministrit pas kërkesës për qasje në Dokumente Publike, të bërë nga Gazeta Insajderi.
Në vitin 2018, Haradinaj i ka marrë nga buxheti i shtetit, 3 mijë e 195 euro, më 2019 ai i ka marrë edhe 3 mijë, derisa në vitin 2020 i ka marrë edhe 1 mijë euro të tjera.
Haradinaj gjatë kohës sa ka qenë kryeministër ka udhëtuar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Francës, Gjermanisë, dhe disa vendeve të tjera, shkruan Gazeta Insajderi.
Një nga kampionët e mëditjeve në qeverisjen e Haradinajt ka qenë Avni Arifi, shef i atëhershëm i stafit të Zyrës së Kryeministrit, i cili ka marrë hiç më pak se 8 mijë e 743, vetë gjatë vitit 2018.
Pa mëditje, po gjatë këtij viti, nuk ka mbetur as Alban Dermaku, ish-këshilltari politik i Haradinajt, i cili ka marrë 5 mijë e 575 euro.
Mëditje gjatë 2018-ës kanë marrë edhe pjesa tjetër e stafit të Haradinajt, si Jahja Lluka rreth 4 mijë euro, Meliza Haradinaj rreth 2 mijë e 700 euro, Gani Demaj rreth 2 mijë euro, Serbeze Osmani rreth 2 mijë euro, Diellza Hoti rreth 800 euro, Nita Himaduna rreth 600 euro, dhe Haki Shatri rreth 100 euro.
Gazeta Insajderi, më 2019, përmes qasjes në Dokumente Publike kishte zbuluar se si Ramush Haradinaj dhe 41 zyrtarë të kabinetit të tij, kishin harxhuar gjysmë milioni euro, vetëm për dreka dhe darka zyrtare.