Së paku një muaj personat e arrestuar për fajde në Pejë do ta kalojnë në çeli. Masa e paraburgimit iu shqiptua që të 16-ve të mërkurën mbrëma.
Nga 5 milionë euro, sa është vlera e fajdeve që deri tashti prokuroria ka zbuluar, gjysmë milioni iu morën apo i mbetën ende borxh vetëm një personi. Klani ka siguruar dosjen e kësaj viktime, emri i të cilit nuk do të bëhet publik.
I njëjti nga viti 2017 deri në vitin 2021 kaloi nëpër duart e 20 të dyshuarve për fajde.
Nga këta persona viktima nga Peja dyshohet se ndër vite ka marrë hua rreth 183 mijë euro, në formë të hollash apo përmes veturave, dhe i është dashur t’i kthejë borxh me kamatë të shtuar mbi 600 mijë euro. Shumicën e mjeteve nuk ka arritur ta paguajë.
Grupi nisi të merrej me të dëmtuarin në 2017-ën, përmes një fqinji të tij, V.K. Ky, me të dëgjuar nga prindi i tij, i cili dikur kishte qenë i burgosur, tani viktima, ka rreth 20 mijë euro të kursyera, shkon dhe ia kërkon ato në emër të vëllait të M.Z, i cili ishte vrarë. Pasi nën detyrim i jep kursimet e tij, pëson humbje në biznes dhe nis maratona e fajdeve.