Bullgarja që e bën shqiponjën me duar, thotë fjalë të mëdha për shqiptarët

Emisioni veror i ATV-së, “n’mal An’det”, vazhdon të sjellë për shikuesit argëtim, intervista dhe eksplorim kulturor.

Në këtë emision, vend të veçantë zënë mërgimtarët, të cilët bëjnë rrëfimet e tyre të ndryshme nëpër të cilat kanë kaluar.

Në emisionin e mbrëmshëm, në studio ishte i ftuar një mysafir i veçantë. Bëhet fjalë për një bullgare me emrin Dobi Trendafilova, e cila ka shprehur interesim për ta mësuar gjuhën shqipe.

Ajo thotë se edhe pse shqipja është e vështirë për ta mësuar si gjuhë të huaj, asaj i pëlqen shumë sepse tingëllon shumë bukur.

“Për të qenë i sinqertë, po, vetëm sepse është kaq e ndryshme nga gjithçka tjetër. Për shembull, bullgarishtja është një gjuhë sllave. Ju mund të kuptoni shumë gjuhë të tjera nëse dini bullgarisht, por shqipja është kaq e ndryshme, veçanërisht shqiptimi, tingëllon kaq ndryshe, por tingëllon shumë bukur të them të drejtën”, thotë Dobi.
Ajo tregon se edhe shoqërisë së saj i ka folur shumë për Shqipërinë dhe Kosovën, madje shpesh sa herë bëjnë foto, e bëjnë shqiponjën me duar.

“Me shoqet e mia, ne shkojmë gjithmonë në pushime dhe gjithmonë u them ‘hajde shkojmë në Shqipëri, shkojmë në Shqipëri, por nuk kam arritur t’i bind akoma, ende pse ato tashmë e pëlqejnë Shqipërinë, sepse i kam prezantuar. Kosova sigurisht dhe po unë fillova ta bej këtë (shqiponjën me duar) dhe tani me të gjithë miqtë e mi, kur bëjmë foto, thjesht e bëjmë edhe ketë (shqiponjën me duar). Historia është vërtetë interesante”, tregon Dobi.