Ushtruesi i detyrës i kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faton Klinaku, ka reaguar sërish pasi paraprakisht u shpreh se më përpara do ta vriste kryeministrin Albin Kurti, sesa që do ta lëshonte Kosovën.
Ai vazhdon të mendojë kësisoj, duke e përsëritur deklaratën e njëjtë që e kishte thënë të martën mbrëma.
Klinaku e përsëriti këtë deklaratë, pas publikimit të postimit të tij në media.
“Nëse mediave ju duket postimi im si skandaloz, atëherë të më thonë se: A më shumë vlen Albini, apo atdheu ynë! Prapë po e përsëris pra, nëse ju duket skandaloz postimi i mëhershëm: “Më parë e vras Albin Kurtin sesa ia lëshoj rrugën e iku nga Kosova””, shkroi Klinaku në reagimin e tij të dytë në Facebook.
Pak më parë, Klinaku tregoi një bisedë që e ka pasur me votuesin e Kurtit, i cili sipas tij ka thënë se “s’ka mbetur tjetër gjë pos me ikë jashtë”, ndërsa ai iu ka përgjigjur duke thënë se “më parë e vras Albin Kurtin sesa që ia lëshoj rrugën e iku nga Kosova”.
“Aq shumë i dëshpëruar votuesi i tij saqë tha: Votën ia dhashë për ndryshim, e ndryshim lëre që nuk ka por po shkojmë edhe më shumë teposhtë si vend dhe s’ka mbetur tjetër gjë pos me ikë jashtë”, tha Klinaku.
“I thashë: As se kam votu, as ndryshim për të mirë kurrsesi që nuk kam pritur nga ai, e sa i përket daljes jashtë, më parë e vras Albin Kurtin sesa që ia lëshoj rrugën e iku nga Kosova”.
Në fund, ai deklaroi se Kosovën nuk duhet e as që guxojnë ta lëshojnë ata që kanë luftuar për të.