Kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka publikuar disa fotografi nga darka e sontme në Lubjanë të Sllovenisë, ku pjesë e këtij takimi qe edhe kryeministri kosovar, Albin Kurti.
Në pamjet të cilat mund të shihen në fotografi, ndahet një moment ku Rama dhe Kurti përshëndeten mes vete me një shtrëngim duarsh pasuar edhe me të qeshura.
Aty shihet edhe kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, i cili duket ta kishte rolin e ndërmjetësuesit për pajtimin Kurti-Rama!
Madje në një moment tjetër, kryeministri kosovar Albin Kurti, shihet me atë të Malit të Zi, Dritan Abazoviq, duke ndarë një diskutim, ndërsa të tjerë të pranishëm shkrepin fotografi në ambient.
Tutje po në një imazh tjetër, është po kryeministri kosovar, larg atij shqiptar, ndërsa pranë këtij të fundit i shihet kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq.
Takimi u zhvillua në darkën e mikpritjes së kryeministrit slloven, Robert Golob, në vigjilje të Forumit Strategjik të Bledit që pritet të mbahet nesër.