Kryetari i Komitetit Malazez të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut dhe ish-ministri i Punëve të Jashtme të Malit të Zi, Miodrag Vllahoviq, i dërgoi një letër të hapur ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, në lidhje me qëndrimet dhe mendimet e shprehura nga diplomati amerikan në një intervistë për Zërin e Amerikës.
Ambasadori Hill, në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, ka vlerësuar ndër të tjera se deklaratën e ministrit serb të Mbrojtjes Millosh Vuçeviq, i cili në TV Pink tha se Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi mund të “goditen në kokë nga njohja e Kosovës, ashtu siç u godet në kokë Ukraina për të gjithë ata që e promovuan Kosovën si shtet të pavarur”, ai nuk e sheh atë si një përpjekje për të destabilizuar rajonin.
“Intervista juaj e fundit me “Zërin e Amerikës” është plot me teza të gabuara, interpretime të pasakta dhe jokorrekte të cilat edhe një herë konfirmojnë politikën tuaj të qetësimit dhe përbuzjes ndaj Aleksandar Vuçiqit, pra politikës zyrtare të Serbisë, dhe vë në pikëpyetje seriozisht motivet dhe synimet pas një qëndrimi Tuaj të tillë dhe deklaratave tuaja publike”.
“Ngurrimi juaj për të kritikuar publikisht politikën e personifikuar nga Vuçiq në çfarëdo mënyre po merr formën e një karikature. Është magjepsëse që edhe në kërcënimet dhe fyerjet e fundit brutale, që iu dërguan njëra pas tjetrës Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut nga presidenti i Serbisë Vuçiq, më pas ministri i Mbrojtjes Vuçeviq dhe në fund ministri i Jashtëm Daçiq, Ju nuk shihni asgjë kontestuese! Për ju, kjo nuk është një përpjekje për të destabilizuar rajonin? Cilat janë arsyet e qëndrimit tuaj, i cili sinqerisht i habit dhe i shqetëson të gjithë miqtë e sinqertë amerikanë në Mal të Zi, por edhe në të gjitha vendet e tjera të rajonit?”, ka thënë Vllahoviq në një letër publike drejtuar ambasadorit Hill.
Ish-ministri malazez e pyet ambasadorin amerikan se a është “interesi juaj” “pengimi i integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor, për të kënaqur orekset e politikës nacionaliste të Beogradit zyrtar”.
Ai thotë se “politika që ju promovoni shkakton pasoja shumë të këqija”.
“Ajo destabilizon Ballkanin Perëndimor. Krijon dhe ruan kriza dhe parandalon që disa çështje të hapura dhe antagonizma të fillojnë të zgjidhen përfundimisht. Për shembull, jemi të sigurt, ju dini më shumë dhe më mirë se ne, janë: situata në Bosnje dhe Hercegovinë, marrëdhënia ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe ngjarjet dhe tendencat në vendin tonë, Malin e Zi. Kjo është arsyeja pse politika juaj është thellësisht e gabuar. Ajo kërcënon të komprometojë plotësisht angazhimin pozitiv dhe efikas prej dekadash të Shteteve të Bashkuara në rajonin tonë”, shprehet Vllahoviq.
Ne në Mal të Zi, thotë ai, “nuk do ta harrojmë kurrë mbështetjen dhe ndihmën e madhe miqësore që kemi marrë vazhdimisht nga vendi juaj”.
“Dhe për këtë arsye, politika juaj e zbutjes dhe dorëzimit ndaj regjimit të Aleksandër Vuçiqit është e gabuar. Dhe më keq se kaq: është e dënuar të dështojë”.
“Ky dështim do t’i kushtojë shtrenjtë vetë Serbisë, por edhe të gjithë fqinjëve të saj”, thekson ish-ministri malazez.
Ai thotë po ashtu se për të gjitha forcat politike demokratike dhe properëndimore në Ballkanin Perëndimor, “duke përfshirë, veçanërisht, miqtë tanë në Serbi, deklarata se ‘nuk mund të krahasosh Millosheviqin dhe Vuçiqin’ është, të paktën, befasuese. Dhe fyese për të gjithë ne”.
“Nuk mund të krahasosh kreun e një regjimi, i cili përfundoi në Hagë, me ministrin e tij të propagandës, të cilin e kujtuam për sulmet brutale ndaj medias së lirë dhe për deklaratat e tij luftarake dhe ksenofobike, përfshirë ato se ishte e nevojshme të ‘vriteshin njëqind boshnjakë për çdo serb të humbur’?! Mjafton të kujtojmë emrin dhe fatin e Slavko Çuruvijas, të cilin ministri Vuçiq e kërcënoi hapur…”, shton ai.
Tutje, ai pyet Hollin: “a shihni ngjashmëri mes fatit të Ivan Stamboliqit dhe atij të Oliver Ivanoviqit?”
“Kjo rastësi tragjike është edhe më e madhe dhe më tragjike se ajo mes Vuçiqit dhe Millosheviqit. Ju nuk keni nevojë t’i përgjigjeni kësaj pyetjeje, sigurisht. E qarta nuk ka nevojë për shpjegim”, shprehet Kryetari i Komitetit Malazez të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut dhe ish-ministri i Punëve të Jashtme të Malit të Zi, Miodrag Vllahoviq.