Serbia, po pretendon se 28 shtete kanë tërhequr njohjen e Pavarësisë së Kosovës, që nga shpallja e saj më 17 shkurt 2008.
”Fushata për heqjen e njohjeve pikërisht nisi nga ana e Surinamit. Ju kujtoj që kjo është ajo nota që e kemi marrë më 27 tetor 2017, dhe nga atëherë edhe 27 shtete, pra pas Surinamit, kanë tërhequr njohjen. Prandaj për këtë ne e kemi borxh një falënderim të pamatshëm për Surinamin”,tha Ivica Daçiq, ministër i Punëve të Jashtme të Serbisë të hënën pas takimit që e kishte me homologun nga Surinami, Albert Ramdin.
Vetë, Ramdin tha se shteti i tij që është vend i Amerikës Jugore, respekton atë që e quajti “integritet territorial” të Serbisë.
Në listën zyrtare të njohjeve të shtetit të Kosovës, të paktën sipas faqes së Ministrisë së Punëve të Jashtme e Diasporës, njohja nga Surinami figuron, dhe thuhet se është konfirmuar më 8 korrik 2016.
Daniel Serwer nga Universiteti ”Johns Hopkins”, thotë se Prishtina zyrtare në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, duhet të ndalë këtë fushatë të çnjohjeve, që po e sponsorizon Serbia.
”Pyetja bazike do ishte – a jeni gati ju Washingtoni e Brukseli, ta ndaloni këtë fushatë të tërheqjes së njohjeve nga Serbia? E nëse është puna kështu, çfarë kërkoni ju nga ne, që t’ju bëjmë juve të lëvizni në këtë çështje. Frikësohem se çka do të thonë ata pra Washingtoni e Brukseli, është një propozim statuti për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Mendoj se ka ardhur koha që Kosova ta çoj përpara propozimin e saj, në atë se çka mund të pranoj”,theksoi Serwer.
Njohja e fundit për Kosovën erdhi nga Izraeli, më 1 shkurt 2021 dhe ishte derivat i ujdisë së 4 shtatorit 2020 në Shtëpinë e Bardhë. Kumbar i saj ishte presidenti i atëhershëm amerikan, Donald Trump.
Kronikë nga Besnik Tahiri