Eksperti i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi, ka vlerësuar se është shqetësues fakti që Kosova nuk e ka asnjë fluturake apo helikopter.
Ai ka thënë se në të kaluarën, Kosovës u janë ofruar helikopterë falas, por ato qeveri nuk i kanë pranuar, sipas tij, për shkak se kanë dashur të përfitojnë.
E këtë deklaratë të Ibishit e ka komentuar në Facebook, njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare Dr. Enver Bytyçi, i cili ka ftuar prokurorinë që të vihet në lëvizje dhe t’i hetojë këto raste.
Postimi i plotë:
Dje doli në dritë një fakt tronditës! Qeveritë e mëparshme të Kosovës kanë refuzuar ofertën e Turqisë dhe Jordanisë për helikopterë falas për FSK-në, sepse kanë dashur që edhe me këto mjete që jepen falas të përfitojnë para korrupsioni për xhepin e tyre!
Prokuroria e Kosovës duhet vënë menjëherë në lëvizje! Nëse ka prokurorë të korruptuar, jam i bindur se në Kosovë ka më shumë prokurorë që e duan Kosovën! Zgjohuni dhe ndëshkoni këta politikanë dhe ish-administratorë të shtetit, të cilët në vend të shërbimit ndaj Kosovës, e kanë dëmtuar atë!
Turpi dhe makutëria e politikanëve i tejkalon të gjitha limitet! Së paku të nxirren mësimet e nevojshme.