Një zanat në jetë nuk të lë asnjëherë pa bukë. Këtë thënie që e kemi dëgjuar shpesh nga të vjetrit, duket se po e vërtetojnë më së miri në ditët e sotme. Shembull real i kësaj është familja rome e Njazi Sinës në Elbasan.
Në kushtet e pamundësisë për të siguruar punë, anëtarët e kësaj familjeje nuk u janë drejtuar mbledhjes së kanaçeve në koshat e mbeturinave, por kanë nisur të trashëgojnë zanatin e të parëve të tyre duke punuar thuprën. Kryefamiljari tregon si e ka mësuar dhe trashëguar këtë zanat: ”Me këtë punë kemi rritur fëmijët tanë, nuk e lëmë kurrë”.
Si të gjithë zanatet artizanale, edhe punimi i thuprës ka shumë mundim deri në krijimin e objektit që shitet, ndërsa të ardhurat me vështirësi përmbushin nevojat familjare. Shpresa që nesër mund të shesin më shumë i bën anëtarët e kësaj familjeje që ta vazhdojnë çdo ditë këtë zanat, sa për mbijetesë, aq edhe për traditë familjare.