Sveçla takon tre policët të cilëve iu ndërpre sot paraburgimi në Serbi

Tre policët që po mbaheshin në paraburgim tash e 12 ditë në Kralevë të Serbisë sot janë liruar. Pas kthimit të tyre në Kosovë, të njëjtët janë pritur në takim nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Ai së bashku me menaxhmentin e Policisë së Kosovës kanë pritur në takim tre zyrtarët policorë kufitar Rifat Zeka, Beqir Sefi dhe Mustafë Shema.

Policët ishin kidnapuar nga njësitet policore-ushtarake të Serbisë, brenda territorit të Republikës së Kosovës, në kohën kur ata ishin në detyrë zyrtare” – thuhet në njoftimin e MPB-së.

Tutje është thënë se që të tre zyrtarëve policorë në seancën e sotme gjyqësore në Kralevë iu është konfirmuar aktakuza. Ata, sipas MPB-së janë liruar me procedurë të rregullt. “Çka nënkupton se ndaj të njëjtëve do të vijojnë thirrjet dhe përndjekjet nga Serbia” – thuhet tutje.

MPB ka thënë se gjendja shëndetësore fizike e policëve është relativisht e mirë, por me vullnet të fortë dhe kurajë për të vazhduar detyrën në mbrojtje të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë.

Tutje u tha se ministri Sveçla shprehi mbështetjen e të gjitha institucioneve të Kosovës duke theksuar përkushtimin që ky rast i paprecedentë i Serbisë të mos kalojë pa përgjegjësi. Në njoftim thuhet se ky rast i montuar ndaj pjesëtarëve të Policisë duhet të mbyllet pa kushte dhe në tërësi dhe se Serbia duhet të gjykohet për agresionin e saj.