Mc Kresha njihet si njëri prej rep artistëve më të mirë kosovarë.
Por, këngëtari nga Mitrovica ka qenë gjithmonë i pasionuar pas futbollit dhe nuk e kishte përjashtuar mundësinë që në të ardhmen t’i futej edhe kësaj bote.
Dhe, duket se ky moment ka arritur tashmë, shkruan “Gazeta Express”.
Mc Kresha në fakt është bërë pjesë e një klubi të futbollit kosovar pasi është pajisur me Licencën C.
Më saktësisht, këngëtari mitrovicas i ka përfunduar të gjitha trajnimet e UEFA-s në Tiranë për ta marrë licencën e kategorisë C.
Me këtë rast, ai iu bashkua klubit Phoenix, i cili në sezonin e ardhshëm do të garojë në Ligën e Parë.
Siç tregojnë drejtuesit e klubit, Mc Kresha do të kryejë funksione të rëndësishme në klubin nga Istogu.
“Mc Kresha do të jenë pjesë e jona për këtë sezon si menaxher gjeneral i klubit tonë dhe pjesë stafit teknik pasi që i njëjti e posedon edhe licencën C. Në ditët në vijim do ta bëjmë prezantimin e tij në mënyrë më të detajuar”, thotë për “Express”, Fabiana Ferati, sekretare gjenerale e klubit.
Tek Phoenix, Mc Kresha do ta gjejë bashkëvendësin e tij, Gani Sejdiu, i cili është trajner i kësaj skuadre.
Ky do të jetë vetëm fillimi i rrugëtimit të Mc Kreshës në futboll, një rrugëtim i cili mund të jetë i gjatë, e pse jo edhe i suksesshëm pasi njohuritë për futbollin ai i ka të bollshme. /Gazeta Express/