Kjo thjesht nuk ndodh në Rusinë e Vladimir Putinit. Sidomos në publik.
Analizë nga Nick Paton Walsh, CNN
Presidenti rus është dduke u ballafaquar me rrezikun më serioz ndaj qëndrimit të tij në pushtet gjatë tërë periudhës prej 23 viteve të udhëheqjes së shtetit me armë bërthamore dhe është tronditëse që të shikohet shkërmoqja brenda natës e kontrollit të plotë që ai e ka mbajtur gjatë tërë kohës.
Ishte edhe e pashmangshme, edhe e pamundshme. E pashmangshme, sepse keqmenaxhimi i luftës nënkuptonte që vetëm një sistem aq i mbyllur në mënyrë homogjene dhe aq imun ndaj kritikave sa Kremlini do të mund t’i mbijetonte një aventure të tillë të gabuar e të urryer. E pamundshme, sepse kritikët e Putinit thjesht zhduken ose bien nga dritaret ose helmohen egërsisht. Prapëseprapë, tani ushtria e pestë më e madhe në botë është duke u ballafaquar me një fundjavë në të cilën kthimi i armëve në drejtim të bashkëluftëtarëve është gjëja e vetme që mund ta shpëtojë elitën e Moskës nga kolapsi.
Aq të mësuar jemi duke e parë Putinin si mjeshtër taktikash, saqë breshëritë fillestare të mosbindjes së shefit të grupit “Wagner”, Yevgeny Prigozhin, nganjëherë vlerësoheshin si shtirje – përpjekje e Putinit për t’i mbajtur gjeneralët nën presion me një ithtar besnik si kritik të tyre të hapur. Megjithatë, ajo që jemi duke e parë sot – kur Putini detyrohet që të pranojë se Rostov-on-Doni, qendra e tij kryesore ushtarake, është jashtë kontrollit të tij – i jep fund çfarëdo ideje se kjo ishte menaxhuar nga Kremlini.
Sidoqoftë, ka gjasa që njësitet e “Wagner”-it të kenë planifikuar një pjesë të kësaj për ca kohë. Justifikimi për këtë rebelim u duk urgjent dhe spontan – një sulm i qartë ajror ndaj një kampi të “Wagner”-it në një pyll, që Ministria e Mbrojtjes e Rusisë e ka mohuar – u shfaq disa orë pas një çarjeje të dalluar të arsyetimit prapa luftës nga Prigozhini.
Ai pjesërisht e foli të vërtetën për fillimet e tmerrshme të luftës: Rusia nuk ishte nën rrezikun për një sulm nga NATO-ja dhe rusët nuk ishin duke u përndjekur. Mashtrimi që ai e përsëriti ishte sugjerimi se udhëheqësit e Rusisë ishin prapa planit të pushtimit, e jo vetë Putini. Forcat e “Wagner”-it e kanë tërhequr veten shumë shpejt së bashku dhe janë vendosur shpejt në Rostov. Kjo është e vështirë për t’i bërë në mënyrë spontane në një pasdite.
Ndoshta Prigozhini ëndërroi se do të mund ta shtynte Putinin drejt një ndryshimi në krye të Ministrisë së Mbrojtjes që “Wagner”-i e ka qortuar me muaj. Megjithatë, adresimi i Putinit të shtunën në mëngjes e rrëzoi këtë mundësi. Kjo tash është zgjedhje ekzistenciale për elitën e Rusisë – mes regjimit të presidentit që po lëkundet dhe Frankenshtajnit të errët mercenar që ky regjim e krijoi për ta bërë punën e tij të pistë, që është kthyer kundër padronëve të tyre.
Është një moment qartësi për ushtrinë ruse, gjithashtu. Para disa viteve, kritikat e buta të Prigozhinit do të çonin te marrja e tij nga forcat elite speciale me maska. Sidoqoftë, tani ai bredh i lirë, me shikimin haptazi drejt marshimit për në Moskë. Ku janë forcat speciale të FSB-së? Të shkatërruara nga lufta apo pa vullnet për t’i marrë në shenjë shokët e tyre të armatosur e me përvojë në “Wagner”?
Kjo nuk është hera e parë këtë pranverë që e kemi parë Moskën duke u dukur e dobët. Sulmi me dron ndaj Kremlinit në maj do të duhej ta ketë bërë elitën përreth Putinit që të pyesë se si ka mundësi që mbrojtja e kryeqytetit ishte aq e dobët. Disa ditë më vonë, shtëpitë elitare të vendit u shënjestruan nga më shumë dronë ukrainas. Në mesin e të pasurve rusë, ngjarjet e së premtes do të largojnë çfarëdo pyetje për atë nëse ata duhet të kenë dyshim për kapjen e Putinit për pushteti.
Ukraina, me gjasë, do të jetë duke festuar për kohën e tmerrshme të kësaj kryengritjeje brenda rangjeve të Rusisë. Me gjasë, kjo do ta ndryshojë rrjedhën e luftës në favor të Kievit, por rebelimet rrallë përfundojnë në Rusi – ose kudo tjetër – me rezultatet për të cilat fillojnë. Largimi i Car Nikolasit II më 1917 në Rusi u shndërrua në Revolucion Bolshevik, Lenin e pastaj në Perandori Sovjetike.
Përderisa zhvillohet kjo dramë e rrallë e dobësisë themelore njerëzore ruse, nuk është e pashmangshme që përmirësimet do të pasojnë. Prigozhini mund të mos fitojë dhe themelet e kontrollit të Kremlinit mund të mos shemben, por një Putin i dobësuar mund të bëjë gjëra joracionale për ta dëshmuar fuqinë e tij.
Ai mund të tregohet i paaftë për ta pranuar logjikën e humbjes gjatë muajve të ardhshëm në vijat e frontit në Ukrainë. Mund të mos jetë i vetëdijshëm për thellësinë e pakënaqësisë në mesin e forcave të armatosura të tij dhe për mungesën e kontrollit të duhur mbi veprimet e tyre. Pozicioni i Rusisë si fuqi e përgjegjshme bërthamore qëndron mbi stabilitetin në krye të saj.
Shumë më shumë gjëra mund të shkojnë në mënyrë të gabuar se që mund të shkojnë në mënyrë të duhur, por është e pamundshme që të imagjinohet se regjimi i Putinit do të kthehet ndonjëherë te kulmi i mëparshëm i kontrollit nga ky moment dhe është e pashmangshme që trazira e ndryshime të mëtejshme shtrihen para tij.