Deputeti i Vetëvendosjes, Mefail Bajçinovci ka thënë se institucionet kosovare të sigurisë po arrestojnë grupet kriminale në veri, të dërguar nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq për destabilizimin e Kosovës.
“Vuçiqi ka dërguar grupe kriminale, por ne ia kemi arrestu. Keni parë policë që ka dërgu prej Prokpljes, të cilat kanë ardhë dhe e kanë sulmu KFOR-in. Ai ka dërguar paramilatarët e tij për ta sulmuar KFOR-in”, ka thënë Bajqinovci në emisionin DPT te Fidani në T7.
Bajqinovci ka thënë se ata kanë humbur edhe përkrahjen e popullit serb.
“Siç po shihet as populli serb më nuk po i përkrahë. Askush nuk proteston për ta. E kanë humbur përkrahjen”, ka thënë tutje ai.
Sipas deputetit, Qeveria e prirë nga Kurti, është e interesuar që t’i largojë grupet kriminale nga rrugët e veriut.
“Qeveria e Kosovës, z. Kurti, është i përkushtuar që njëherë e mirë këta njerëz t’i largojnë nga rruga. Boll i kanë leju për 20 vjet, nuk mundemi më”, ka theksuar ai.
Ai ka thënë se nuk do të ketë ndonjë konflikt rajonal, pasi këtë gjë nuk e do Kosova.
“Nuk do të ketë kurrfarë konflikti as në rajon… pse konflikt? Konflikt Kosova nuk do, por shtrirje të sovranitetit të saj në tërë territorin”, ka thënë deputeti.