“E pickoi kandili”- Përfundon aventura e avokates që do kalonte Otrnaton me not

27.5 orë zgjati rrugëtimi i Eva Buzos, e cila mëtonte të thyente një rekord historik në not.

Që prej orës 7 të mëngjesit të së enjtes ajo është nisur nga Italia me not për të përshkuar kanalin e Otrantos dhe të mbërrijë më pas në Shqipëri, udhëtim që e ndërpreu të premten rreth 9 milje nga bregu i Vlorës.

Trajneri që e shoqëronte tregoi se stafi mjekësor po kujdeset për të duke i kontrolluar mushkëritë, por gjendja e saj shëndetësore është e stabilizuar.

Ndërkohë, kushërira e saj, Linda Buzo tregoi se arsyeja se pse Eva kishte ndërprerë rrugëtimin e saj ishte pickimi nga një kandil që i kishte shkaktuar ënjtje dhe siç u raportua më herët dhe nga kripa e tepërt.

Buzo është me profesion avokate në Australi dhe është e angazhuar dhe në shoqërinë civile në mbrojtje të të drejtave të njeriut. Ajo ka përvojë pune në Afrikën Lindore, Azinë Jugore dhe Australi.