Grenelli kërkon që bashkësia ndërkombëtare t’i dëgjojë kërkesat e Listës Serbe

Ish-të dërguarin special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell. Ish-emisari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikë për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, ka deklaruar se ndërkombëtarët duhet të vijnë dhe t’i dëgjojnë kërkesat e Listës Serbe, për të gjetur zgjidhje mbi problemet e krijuara.

Në një takim me Listën Serbe në Mitrovicë të Veriut, Grenell tha se sikur bashkësia ndërkombëtare t’i vizitonte serbët, do të gjenin zgjidhje.

“Komuniteti ndërkombëtar duhet të vijë dhe të dëgjojë këta njerëz. Dëgjoj shumë shqetësime këtu sot dhe besoj se do të gjendej rruga, sikur komuniteti ndërkombëtar të vinte (për të biseduar)”, u shpreh Grenell.

Ish-zyrtari amerikan tha në një konferencë për media se është zhgënjyese se si raportet mes Kosovës dhe Serbisë “janë përkeqësuar në tre vjetët e fundit”.

“Ne po ecnim në një rrugë të mirë, drejt normalizimit ekonomik dhe unë mendoj se këtu e duan paqen, punësim të mirë”, tha ai.

Ndërsa, kreu i Listës Serbe, Goran Rakiq, përsëriti kërkesat që të largohen njësitet speciale të Policisë së Kosovës, të amnistohen serbët e arrestuar që morën pjesë në protestat e fundit, të dorëhiqen kryetarët shqiptarë të komunave veriore dhe “kushti i të gjitha kushteve është formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe” tha ai.