I shqetësuar dhe i zhgënjyer për situatën në veri: Senatori amerikan del me një thirrje të fuqishme

Raportet e Kosovës me Administratën shtetërore të SHBA-së nuk janë në ditët e tyre më të mira.

Kjo për shkak të qëndrimeve të Qeverisë së Kosovës karshi dialogut me Serbinë dhe kërkesave të kësaj të fundit për formimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Situata u tensionua me protestat e dhunshme të serbëve në komunat veriore, ku kryetarët e zgjedhur në zgjedhjet e 23 prillit nuk po lejohen që ta ushtrojnë detyrën e tyre.

Ndërsa, Serbia së fundi rrëmbeu tre Policë të Republikës së Kosovës brenda territorit të shtetit tonë.

Gjithë këtë situatë e ka komentuar Senatori Bob Menendez (D-N.J.), që është Kryetar i Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë.

Në një deklaratë të siguruar nga gazeta “Bota sot” senatori Menendez i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare të bëjë më shumë për të adresuar përshkallëzimin e dhunës në veriun e Kosovës, shkruan “Bota sot”.

“Jam thellësisht i shqetësuar nga përshkallëzimi i dhunës në veri të Kosovës dhe gjithashtu i zhgënjyer nga reagimi i komunitetit ndërkombëtar. Ndërsa të gjitha palët e përfshira kanë përgjegjësinë për të promovuar stabilitetin, ne duhet të jemi të qartë në vlerësimin e situatës dhe të jemi të gatshëm të theksojmë mangësitë nga të dyja palët”, ka thënë Menendez.

Sipas tij, derisa Kosova Kosova ka qenë një partner jetik për Shtetet e Bashkuara, Bashkimin Evropian dhe NATO-n në objektivat politike dhe të sigurisë në të gjithë rajonin dhe botën, presidenti serb nuk ka treguar një përkushtim ndaj dialogut të lehtësuar nga BE.

“Është e qartë se kjo ka ndodhur në lidhje me Kosovën, por unë kam parë pak në mënyrën se si po ushtrohet presion ndaj Beogradit. Kosova ka qenë një partner jetik për Shtetet e Bashkuara, Bashkimin Evropian dhe NATO-n në objektivat politike dhe të sigurisë në të gjithë rajonin dhe botën. Ndërkohë, presidenti serb Vuçiq nuk ka treguar një përkushtim ndaj dialogut të lehtësuar nga BE, mobilizoi ushtrinë e tij në kufirin e Kosovës, e ka çuar vendin e tij në një rrugë të vendosur jodemokratike dhe refuzoi t’i bashkohet Shteteve të Bashkuara dhe pjesës tjetër të Evropës në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë”, ka deklaruar Menendez.

Ai ka thënë se, sinqerisht shpreson që komuniteti ndërkombëtar do të angazhohet për të mbështetur një proces të bazuar në realitet që promovon paqen dhe sigurinë në Kosovë.

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha më 20 qershor se kriza në Kosovë mund të shndërrohet në një konflikt rajonal dhe se është shumë i shqetësuar.

Sot Bashkimi Evropian, i cili ndërmjetëson dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, bëri thirrje për një takim urgjent për menaxhimin e krizave.

Kurti e Vuçiq tashmë e kanë konfirmuar pjesëmarrjen.